Më mirë të mbahen zgjedhjet para kohe, thotë Glauk Konjufca, ndërkohë që partitë po bëjnë sondazhe për të kuptuar pozicionin e tyre, e Qeveria Kurti 2 po shkon drejt fundit të mandatit. Kryeparlamentari parashikon vit të ndërlikuar dhe me më shumë sfida, ndaj thotë se nevojitet një pushtet i ri. Ai s’do të ishte kundër që LVV-ja të qeveriste në koalicion me një parti tjetër.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca mendon se do të ishte më mirë që në Kosovë të mbahen para kohe zgjedhjet parlamentare.
“Viti 2024 do të jetë më i ndërlikuar sesa viti 2023 në kuptimin botëror”, parashikoi mbrëmë ai. Kësisoj, tha se do të ishte “shumë më e dëshirueshme” që zgjedhjet të mbaheshin më shpejt, në mënyrë që, siç argumentoi ai, sfidat përgjatë vitit që po vjen të mos e orientojnë “karakterin e legjitimitetit” të pushtetit të ri.
“Mua më duket që mandati… nëse Qeveria mendon që duhet të shkojë deri në fund, kush jam unë që t’ju përzihem atyre. Mirëpo, për shkak të viti 2024 dhe zhvillimeve që unë i përmenda, do të dëshiroja – tash ky është mendim i imi më privat – që Kosova të mos kalonte nëpër këto procese, që këto procese me ndiku në legjitimitetin e pushtetit të ardhshëm në Kosovë. Do të doja më tepër… është alternativa që e mendoj, që do të ishte shumë më e dëshirueshme ndoshta… Këtë e kam jo për Lëvizjen Vetëvendosje, e kam për Kosovë. Për Kosovën, për institucionet e Kosovës do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit, i riu, me u përballë me ato sfida, e jo ato sfida me e orientu karakterin e legjitimitetin”, tha Konjufca në një intervistë në Klan Kosova.
“Po”, tha prerazi kryeparlamentari, kur u pyet nëse po thotë se është më mirë të ketë zgjedhje të parakohshme.
Konjufca tha se është “plotësisht e mundshme” që të ndodhë ajo që ai dëshiron dhe shtoi se “Vetëvendosje gjithmonë duhet të jetë e gatshme për zgjedhje të reja”.
“Tri ngjarjet”
Ai përmendi “tri ngjarje” globale në vitin e ardhshëm, që ai pret se do të kenë “impakt të jashtëzakonshëm” për Kosovën. “Tri ngjarje do ta definojnë relacionin tonë sidomos me Bashkimin Europian dhe këto do të kenë ndikim edhe në procesin politik të relacionit mes Kosovës dhe Serbisë. Janë në maj zgjedhjet europiane dhe kjo do ta ridefinojë Parlamentin Europian. Unë mendoj që shenjat e para të zgjedhjeve nëpër kështu… po tregojnë disa zhvillime të cilat mund të kenë impakt të jashtëzakonshëm”, tha Konjufca.
Ai parashikoi se “impakti më negativ për Kosovën” do të ishte nëse nga zgjedhjet europiane ekstremët e majtë dhe ata të djathtë do të fitonin hapësirë dhe pozicione të rëndësishme në Komision Europian. Më tej përmendi presidencën hungareze, që nga 1 qershori do ta marrë në udhëheqje Këshillin e BE-së dhe tha se Hungaria ka qenë “e zëshme kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë, por edhe heqjes së sanksioneve ndaj neve”. Të tretën, e përmendi garën presidenciale në SHBA. “Kë ta zgjedhin, ne do të bashkëpunojmë”, tha Konjufca.
A do të ketë koalicion në qeverinë e ardhshme? Konjufca u pyet nëse do të donin që ta ndanin përgjegjësinë në qeverisje me ndonjë parti tjetër. “Unë për nga natyra nuk jam egoist dhe mendoj që karakteri demokratik i një shteti është se e ka krejt spektrin politik edhe e kërkon bashkëveprimin, kompromisin, në mënyrë që me e çu vendin përpara, po ku ti nuk mund ta realizosh krejt atë që e ke planifiku dhe e ke mendu sepse forcat tjera politike po ashtu janë pjesë e asaj që është vullnet i qytetarit dhe pastaj vjen e përkthyer në Kuvend me ulëse dhe me të gjitha këto. Pastaj ato pjesë ndërveprojnë për me mujtë shtetin me e shty përpara”, tha ai.
“Kjo i bjen që koalicion Vetëvendosjes do t’i imponohet nëse Vetëvendosja nuk do të mund ta krijojë qeverinë e vetme”, tha Konjufca. Nëse LVV-ja nuk merr mbi 50% të votave në zgjedhjet e ardhshme, kryeparlamentari tha se sinjali do të jetë që duan t’i shohin “bashkë me dikë tjetër”. “Kjo do të jetë si njëfarë lloj barometri.Nëse qytetarët e Kosovës e votojnë Vetëvendosjen mbi 50%, ata sikur po duan ta japin sinjalin që ky drejtim po ju konvenon, por nëse e votojnë nën 50%, atëherë mesazhi ka me qenë që ne po ju shohim më mirë bashkë me dikë tjetër sesa vetë”, tha ai.
Sondazhet
Partitë po bëjnë sondazhe për të kuptuar pozicionin e tyre ndërsa Qeveria Kurti 2 po shkon drejt fundi të mandatit. Numri dy në Lëvizjen Vetëvendosje tha se hulumtimet që ai i ka parë, e nxjerrin partinë në pushtet mes 52 dhe 54 përqindëshit. “Unë çdo hulumtim serioz që e kam parë prej vitit 2021 për partitë politike, subjekti i cili më ka zgjedhur në këtë pozitë institucionale gjithmonë ka dalë mes parametrave 42% dhe 54”, tha Konjufca.
Ai tha se janë “6 hulumtime për opinionin publik” që ai i ka parë gjatë këtij mandati. “Pika më e ulët e hulumtimeve të opinionit publik që unë i kam pa ka qenë 42%”, theksoi Konjufca. Sfidat më të mëdha të Kosovës në vitin e ardhshëm pritet të jenë ato nga dialogu me Serbinë. BE-ja thotë se themelimi i Asociacionit “pritet të fillojë së shpejti”, ndërkohë që në Bruksel dhe në Washington po presin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të lëvizë në këtë drejtim.