Mijëra protestues mbështetës të Palestinës, u mblodhën në qytetin Chicago, i cili pret Kongresin e Partisë Demokratike në SHBA, dhe marshuan për "ndalimin e gjenocidit në Gaza" dhe që “SHBA-ja të ndërpresë ndihmën e saj për Izraelin”.
Ndërkohë që vazhdon numërimi mbrapsht për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 5 nëntor në SHBA, dje në Chicago ka nisur Kongresi i Partisë Demokratike që do të zgjasë për 4 ditë.
Marshimi i mijëra demonstruesve pro-palestinezë që mbushën rrugët e Chicagos, ka spikatur në ditën e parë të kongresit ku shumë politikanë të shquar demokratë përfshirë presidentin amerikan Joe Biden do të mbajnë fjalime.
Në një zonë pranë United Center ku mbahet Kongresi, koalicioni i emërtuar "Marshimi mbi DNC" (March on the DNC) i formuar nga më shumë se 270 mbështetës palestinezë dhe organizata joqeveritare që shprehin kërkesa të ndryshme sociale, vazhdoi demonstratat të cilat i nisën dje.
Turma e madhe u mblodh në një zonë afër kongresit dhe bëri një marshim të gjatë që zgjati rreth 2 orë, duke u siguruar që Joe Biden dhe Kamala Harris të dëgjonin mesazhet e tyre për Gazën.
Mijëra njerëz që morën pjesë në marshimin i cili u pasqyrua gjerësisht në mediat amerikane, brohoritën me slogane si "Stop gjenocidit në Gaza", "Genocidal Joe" dhe "Free Palestine".
Po ashtu pjesëmarrësit dhanë mesazhe të ngjashme me pankartat që mbanin në duar, në mesin e të cilave tërhoqi vëmendjen pankarta me temën "Jo ndihmës së SHBA-së për Izraelin".
Është njoftuar se protestuesit do të qëndrojnë në terren dhe do të vazhdojnë demonstratat e tyre deri në momentin kur presidenti amerikan Joe Biden të mbajë një fjalim në mbrëmje.
Edhe koalicioni "March on the DNC" në deklaratën e tij theksoi se do të organizojnë një demonstratë të madhe të enjten, kur Kamala Harris do të mbajë fjalimin e saj për pranimin zyrtar të kandidimit presidencial./aa