Këshilli i Ministrave miratoi dje një bonus shtesë prej 5,000 lekësh, për festat e fundvitit, për të gjitha pensionet familjare dhe për të gjithë përfituesit e pensionit si invalidë të punës.
Lajmin e bëri të ditur sot drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hado, i cili informoi se ky shpërblim mund të merret përgjatë gjithë vitit 2024.
Projektvendimi që paraqitet për shqyrtim është në përputhje me programin politik të Këshillit të Ministrave dhe është i mbështetur në dispozitat ligjore të fushës së shpërblimeve dhe përfitimeve të tjera sociale.
Ai synon të shpërblejë në mënyrë të veçantë personat që trajtohen me pension invaliditeti dhe personat që trajtohen me pension familjar, si dy kategori të veçanta dhe shumë të ndjeshme për sa i përket mundësive për mirëqenie ekonomike, invalidët për shkak të paaftësisë së tyre për punë, dhe përfituesit e pensionit familjar për shkak të humbjes së mbajtësit të familjes.
Projektvendimi, lehtëson situatën e ndjeshme sociale, në të cilën gjenden invalidët dhe
personat që kanë humbur mbajtësin e familjes.
Kjo kategori krahas përfitimit të pensionit të invaliditetit dhe pensionit familjar, shpërblimit të akorduar nga Këshilli i Ministrave me vendimin e datës 30 nëntor 2023 “Për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit 2023”, së bashku me këtë shpërblim, përballon shportën e ushqimeve për muajin dhjetor 2023, që është edhe muaji i festave.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 560 473 000 lekë dhe përballohen nga “Fondi Kontigjencë” i miratuar në buxhetin e
vitit 2023 dhe buxheti i ISSH-së për vitin 2023./ata