Sokol Sadushi, Kryetari i Gjykatës së Lartë, gjatë një deklarate për mediat, duke bërë një rezyme të punës së këtij institucioni për vitin 2023, theksoi se numri i çështjeve është ulur ndjeshëm dhe për faktin se tashmë trupa e Gjykatës së Lartë është e plotë dhe funksionale.
“Plotësimi i Gjykatës së Lartë me 18 gjyqtarë ka bërë tërësisht funksionalë Kolegjet e Bashkuara, si trupë vendimmarrëse për ndryshimin e praktikës gjyqësore, ndërkohë që Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve ka përfunduar procedurën e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Zëvendëskryetarit”, tha Sadushi në deklaratën e fundvitit për mediat.
“Tre vjet më parë, kur rifilloi funksionin me vetëm tre anëtarë, Gjykata e Lartë gjendej në një kolaps të plotë. Vetëm në harkun e tre vjet rimëkëmbjeje, numri prej 24.688 vendimesh ka tejkaluar backlogun, që rezulton i ulur ndjeshëm në 24.120 çështje. Ulja e numrit të lartë të çështjeve të prapambetura kërkon kohë dhe një strategji koherente e frytdhënëse, që falë bashkëpunimit me projektin që mbështetet nga Departamenti i Shtetit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, ka rezultuar i suksesshëm”, nënvizon Sadushi.
Kreu i Gjykatës së Lartë po ashtu ka nënvizuar se me shifra atë që ai e cilëson sukses të punës së institucionit që ai drejton.
“Për vitin 2023 janë dhënë 7.848 vendime gjyqësore, nga të cilët 2.931 i përkasin Kolegjit Administrativ, 2.689 vendime të Kolegjit Civil dhe 2.228 vendime të Kolegjit Penal. Treguesi kryesor i performancës dhe efiçencës, referuar standardeve dhe praktikave më të mira të CEPEJ është norma e likuidimit të çështjeve, që përcaktohet nga raporti ndërmjet çështjeve të përfunduara dhe çështjeve të reja që regjistrohen. Gjykata e Lartë ka mbi 2 vjet që tejkalon standardin ndërkombëtar, duke arritur për vitin 2023, një normë të likuidimit të çështjeve prej afro 425%”, tha Sadushi.
“Gjatë këtij viti janë regjistruar 1.846 çështje të reja dhe sipas standardit ndërkombëtarë po kaq duhej të ishte edhe numri i vendimeve gjyqësore, ndërkohë që janë dhënë 7.848 vendime, pra, 4 herë më shumë se norma e rendimentit për gjyqtar. Referuar këtyre të dhënave, çdo gjyqtar ka mbajtur për këtë vit një ngarkesë prej afro 440 vendime në vit (një shifër rekord), ndërkohë që historikisht, në vitin e saj më të mirë dhe me më shumë këshilltarë ligjorë, Gjykata e Lartë shqyrtonte mesatarisht jo më shumë se 250 çështje në vit për gjyqtar. Këto janë të dhëna që dëshmojnë për përgjegjshmërinë e lartë të trupës gjyqësore për tu përballur, por edhe për të dalë nga kjo gjendje”, theksoi Sadushi.
Ai garantoi se “shumë shpejt do të konstatoni se pasi të kemi përfunduar shqyrtimin e çështjeve që i përkasin viteve 2017-2018, si vitet me numrin më të lartë të çështjeve të regjistruara, nuk do të ketë çështje që tejkalojnë afatet e arsyeshme të gjykimit. Mjafton t’i referohemi numrit të vendimeve të dhëna nga viti 2020, për të qenë besimplotë se për një periudhë afro dy vjeçare, backlogu prej 24.000 çështjesh do të konsiderohet si një reminishencë e të shkuarës”.
“Gjatë vitit 2023 ka filluar procedura për 13 vendime njësimi (4 nga Kolegji Penal, 2 nga Kolegji Civil dhe 7 nga Kolegji Administrativ), ndërkohë që një pjesë prej tyre janë shpallur dhe të tjerat janë në proces arsyetimi. Vendime të strukturuara mirë profesionalisht, përmes të cilave zhvillohet dhe njësohet praktika gjyqësore e bëjnë shumë më eficent gjykimin dhe qëndrueshmërinë në vendimmarrjen e gjykatave më të ulta, duke garantuar stabilitet dhe siguri juridike në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ky është dhe do të mbetet prioriteti ynë”, vuri në dukje Sadushi.
“Heqjet dorë nga rekursi prej institucioneve publike ka vijuar edhe gjatë këtij viti, fenomen që është vënë re edhe te individët. Janë 468 kërkesa për heqje dorë nga rekursi, nga të cilat 384 i përkasin institucioneve publike dhe 84 individëve, të ndara në: 261 në fushën administrative, 177 në civile dhe 30 në penale. Kjo prirje nevojitet të shoqërohet edhe me mosparaqitjen e rekurseve të reja, që dukshëm rezultojnë të pabazuara”, tha Sadushi.
Përherë e kam evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. E ndarë sipas fushave, për vitin 2023 nuk e kalojnë këtë test 36% e rekurseve në Kolegjin Civil, 70% në Kolegjin Administrativ dhe 70% në Kolegjin Penal. Por nëse do shohim raportin ndërmjet individëve/personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, rekurset e papranueshme në fushën administrative dhe civile i përkasin më tepër organeve publike. Për këtë vit, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 70% të çështjeve administrative (1.441 çështje) dhe 73% të çështjeve civile (701 çështje). Individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 30% të çështjeve administrative (629 çështje) dhe 27% të çështjeve civile (263 çështje). Ky raport është i ndryshëm në fushën penale, ku prokuroria rezulton gjyqhumbëse në 33% të çështjeve (521 çështje), ndërsa individët rezultojnë gjyqhumbës në 67% të tyre (1039 çështje)”, shtoi Sadushi.
“Moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privat, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. Është e papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara”, evidentoi Kreu i Gjykatës së Lartë.
“Avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Nevojitet që ata të ndjekin praktikën gjyqësore, me qëllim që të mos e investojnë Gjykatën për çështje të panevojshme, me rekurse të pasuksesshme dhe haptazi të pabazuara. Këtë e dëshmon më së miri procedura e seleksionimit të rekurseve e aplikuar nga Kolegji Administrativ që po jep rezultat pozitiv si në moslejimin e shtimit artificial të çështjeve, në orientimin e shpejtë të praktikës gjyqësore, por edhe në evidentimin e mungesës së profesionalizimit të përfaqësuesve ligjorë. Vetëm gjatë vitit 2023, nga ky proces seleksionues në fushën administrative janë vlerësuar haptazi të pabazuara 42% e rekurseve të paraqitura”, tha Sadushi./ata