Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, “projektbuxheti i vitit 2025 adreson një rritje me 15.2% të fondeve në mbështetje të sektorit hekurudhor në vendin tonë”.

“Ky program do të financohet me 6 miliardë lekë, me një rritje prej 802.7 milionë lekësh krahasuar me një vit më parë”, tha Balluku.

Në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Balluku shpjegoi disa nga projektet kryesore që do të zhvillohen, ndër të cilët hekurudha Tiranë-Durrës dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, hekurudha Vorë – Hani i Hotit, Durrës – Rrogozhinë, Rrogozhinë-Vlorë, Aeroport i Vlorës – Qendër e qytetit dhe më gjerë.

Gjithashtu theksoi ajo, po ndërmerret studimi për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Shkodër-Gjakovë, si një ndër projektet më të mëdha hekurudhore në Shqipëri.

Gjatë fjalës së saj, ministrja vuri theksin në zbatimin e investimeve për modernizimin e sistemit hekurudhor.

“Rigjallërimi i hekurudhës shqiptare është një prej prioriteteve kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që pritet të sjellë shumë përfitime dhe lehtësi për qytetarët dhe zhvillimin e ekonomisë në tërësi”, tha ajo./ata