Qeveria Shqiptare ka vendosur të financoi Federatën Shqiptare të Futbollit me shifrën e 200 000 000 lekëve, për shkak të pjesëmarrjes së ekipit tonë kombëtarë të futbollit në finalet e Europianit të vitit 2024, që do të luhen në Gjermani.

Në vendimin e publikuar nga qeveria lexohet se FSHF-ja duhet që brenda muajit mars 2024 të paraqesë pranë Ministrisë së Arsimit të gjithë dokumentacionin justifikues për marrjen e fondit.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit “Për sportin”, qeveria shqiptare vendosi  financimin, në masën 200 000 000 lekë, të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), për mbështetjen e Ekipit Kombëtar të Futbollit, në kuadër të UEFA EURO 2024. Fondi i përcaktuar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e FSHF-së në bankën e nivelit të dytë “Union Bank”, sh.a., me numër llogarie 111141628020115, dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2023 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, përkatësisht, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, në programin buxhetor 08140 “Zhvillimi i sportit”, thuhet në vendim.

Në pikën tre të vendimit sqarohet se “FSHF-ja, brenda muajit mars 2024, paraqet në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dokumentacionin justifikues/transfertat bankare për shpërndarjen e fondit sipas veprimtarisë për të cilën do të përdoret ky fond. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Federata Shqiptare e Futbollit për zbatimin e këtij vendimi”, theksohet në vendimin e marrë nga qeveria./ata