“Motra Tone”, vepër ikonike e artistit poliedrik Kolë Idromenos, po shndërrohet në murale në qytetin e Shkodrës.

Kryebashkiaku Benet Beci ndau në rrjetet sociale pamje nga realizimi i murales.

“Një nga punimet më të veçanta të Kolë Idromenos, po pasqyrohet në një murale nga artistët tanë në hyrje të Shkodrës”, tha kryebashkiaku Beci.

Motra Tone” (75×60) u realizua nga piktori Kolë Idromeno në vitin 1883. Këtë portret, piktori Idromeno, e realizoi në moshën 23-vjeçare dhe është vepra e parë realiste në artet pamore shqiptare.

Mënyra e qëndrimit, realizimi me mjeshtri i çdo detaji dhe drita e qetë që e përshkon të tërë figurën në përgjithësi dhe portretin në veçanti flasin për mjeshtrinë e lartë të penelatave të Idromenos.

Portreti “Motra Tone” nuk u ekspozua për sa kohë ishte gjallë piktori. Dihet mirëfilli që ky portret, nuk është pikturuar në bazë të fantazisë, por në bazë të modelit të gjallë përpara. Për realizimin e veprës ka pozuar vetë motra e piktorit, Tone Shkanjeti (Idromeno), një vit më e madhe se i vëllai. Portreti që u bë i famshëm fillimisht quhej “Portret i gruas Shkodrane”, e më vonë ku vepra mbërriti në Galerinë Kombëtare (pas vitit 1954) u emërua si “Motra Tone”./ata