Para se të shkojë në Europianin gjerman, Kombëtarja shqiptare do të ketë tre miqësore. Më saktë, përzgjedhja e Sylvinho-s do të luajë kundër Algjerisë, Afrikës së Jugut dhe Bolivisë. Ky lajm vjen pikërisht nga Federata Algjeriane e Futbollit.

“Algjeria ka pasur privilegjin të caktohet nga FIFA për të organizuar këtë edicionin e parë të këtij turneu ndërkombëtar, i cili do të organizohet nën kujdesin e organizmit ndërkombëtar. Përveç Algjerisë, në turne do të marrin pjesë edhe Bolivia, Shqipëria dhe Afrika e Jugut”, zbuloi kreu i ftubollit algjerian Velid Sadi, duke saktësuar dhe datat:

“Ky turne ndërkombëtar do të luhet në datat e FIFA-s nga 18 deri më 26 mars, në mesin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Gjatë kësaj date të FIFA-s, kombëtaret afrikane do të jenë aty me fillimin e raundit paraprak të kualifikueseve për Kupën e Kombeve Afrikane 2025.

Ky turne do të ketë praninë e anëtarëve të rëndësishëm të FIFA-s, dhe ndoshta presidentit të saj Gianni Infantino”, tha Sadi. /tesheshi.com/