Investimet publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB ose 128.5 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 7 miliardë lekë).
Në planifikimin e investimeve për vitin 2024 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.
Gjatë vitit 2024 do të nisë puna për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës. Zgjerimi i kësaj rruge është parashikuar të jetë e ndarë me faza. Faza e pare përfshon segmentin nga Tirana deri në Rinas, në Kashar dhe pastaj gradualisht do të vazhdojmë me segmentet e tjera. Ndërkohë është parashikuar edhe rehabilitimi i rrugës Tiranë- Ndroq për tu kthyer në një rrugë të mirëfilltë.
E lindur si nevojë pas fluksit turistik gjatë muajve të verës, në buxhetin e vitit 2024 parashikohet edhe financimi i një projekti që rregullon aksin e Ksamilit dhe shmang trafikun.Në fazën e parë do të punohet në segmentin që lidh Sarandën me Ksamilin, për ta vendosur në funksion të turizmit. Projekti parashikon zgjerimin e saj me një korsi emergjence dhe në krahun tjetër, në drejtim të detit do të bëhet një shëtitore që të funksionojë për biçikletat, skuterat dhe një pedonale. Në mënyrë të tillë që ata që duan të frekuentojnë plazhet e Ksamilit në drejtim të Sarandës të mos jenë të detyruar të marrin makina, por të shkojnë me biçikletë ose në këmbë.
Brenda këtij viti Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon që të kenë përfunduar Unaza e Tiranës dhe tuneli i Llogorasë, i cili pritet të vihet në funksion në fillim të vitit sezonit turistik. Po ashtu është parashikuar përfundimi i rrugës Korçë-Ersekë, faza e parë e rrugës Elbasan-Qafë Thanë.
I aksesueshëm për përdoruesit e rrugës gjatë 2024 do të jetë edhe aksi Thumanë-Kashar, ndërkohë që do të nisin punimet edhe për segmentet e tjera Thumanë-Milot, Kashar-Lekaj, Lekaj-Rrogozhinë dhe Milot-Balldren.
Për tre vitet e ardhshme, kontratat koncesionare që do të mbështeten me fonde nga buxheti i shtetit janë ndërtimi i Rrugës së Arbrit, rrugës Milot – Morinë dhe rrugës Orikum – Dukat, bajpas-Porti i Jahteve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se projektet kryesore për periudhën afatmesme janë Tuneli i Llogarasë, porti detar i Durrësit “Porto Romano”, hekurudha Tiranë-Rinas dhe linja Tiranë-Durrës, zgjerimi i aksit Elbasan-Qafë Thanë./ata