Qytetarët e Kosovës kanë filluar të lëvizin në territorin e Serbisë, pa i mbuluar simbolet shtetërore me ngjitëse tek targat zyrtare të vendit tonë.
Në pikën kufitare me Serbinë, në Merdare, automjetet me targa të Kosovës kaluan në territorin serb me simbolet shtetërore të Kosovës, pas vendimit që mori ditë më parë Qeveria e Serbisë, që të lejohet një gjë e tillë.
Këtë lajm e ka komentuar edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se nga sot, qytetarët tanë do të mund të lëvizin tashmë të padiskriminuar nga autoritetet serbe, me targat tona zyrtare RKS dhe pa vendosur ngjitëset në simbolet shtetërore në targat e veturave.
“Ky ishte pozicioni ynë që nga fillimi e kjo u realizua pas 2 vitesh tensione të panevojshme”, ka shkruar ai në X.
Qytetarët që kaluar në këtë pikë kufitare, janë shprehur të kënaqur, duke thënë se iu ka lehtësuar puna.
Një qytetarë i cili kthehej në Kosovë, tha se është më e lehtë pa vendosjen e tyre, sepse nëse të ka ra apo humbur, të kanë dënuar.
Ismail Shabanaj tha për KosovaPress, se është një vendim pozitiv.
Qytetari tjetër, Binak Gashi tha se nuk kanë pritur në kufi, dhe të gjithë ishin me targat RKS.
Ndërsa, Vladimiri një qytetarë serb, tha se ky është vetëm një dokument, nuk duhet të nevojitet për Serbinë apo për targat RKS.
Gjithashtu, Fidan Hoti tha se ka pritur pesë orë në kufi, ndërsa heqjen e ngjitësve e komentoi si procedurë më të lehtë.
Ndërkaq, Bedri Sahiti tha se ka pritur katër orë në Kroaci. Ai shtoi se heqja e vizave ka qenë një punë e mirë.
Po ashtu, Egzon Neziraj u shpreh për KosovaPress, se tash munden të shkojnë te familjarët që nuk kanë pasur mundësi. Ai komentoi edhe vendimin e reciprocitetit të Qeverisë së Kosovës për targat, i cili ende është në fuqi dhe serbët në automjete, duhet t’i vendosin ngjitëset në momentin që hynë në territorin e Kosovës, duke thënë se Qeveria fare mos ta heq atë vendim.
Në këtë pikë kalimi, sot ka pasur edhe kolona me automjete në dalje të Kosovës, që ishin kryesisht nga bashkatdhetarët tanë./ata