Nga 1 janari i këtij viti sistemit tatimor në vend i shtohen edhe mbi 29 mijë profesionistë të lirë. E gjithë kjo kategori që ofron shërbime profesionale do të tatohet me 15% ku ka të ardhura deri në 14 milionë lekë dhe tatim 23% kur të ardhurat janë mbi 14 milionë. Taksimi i kësaj kategorie me fasha pritet të sjellë 30 milion euro të ardhura në arkën e shtetit përgjatë gjithë vitit.
Po ashtu, që në nisje të këtij viti rritet me 1.5% akciza për produktet energjetike, kafen, karburantin, verën, birrën apo produktet e tjera alkoolike. Si dhe do të vazhdojë rritja e akcizës për duhanin e nënproduktet e tij.
Konkretisht akciza e naftës, benzinës, lëndëve djegëse, solarit, mazutit apo biodiselit rritet me 1.8 lekë, pasi nga 37 lekë që ishte deri në fund të vitit që lamë pas shkon në 38.8 lekë që në nisje të këtij viti. Kjo rritje mund të përcillet edhe tek çmimi i karburantit për qytetarët.
Përpos taksave, viti 2024 sfidë të rëndësishme në aspektin ekonomik do të vijoj të ketë inflacionin. Pritshmëritë për vitin e ri janë që inflacioni të zbresë në 3%, por viti i kaluar, është shoqëruar me rritje të vazhdueshme të çmimeve, madje në muajit e fundit inflacioni ka shënuar shifra afër 4%, duke rezultuar më i lartë se në BE.
Sektorët kryesorë të ekonomisë presin që inflacioni do të jetë i lartë të paktën deri në muajin mars 2024, por nëse situata vështirësohet Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar rritje tjetër të normës bazë të interesit.
Përtej sfidave, edhe për këtë vit kryefjala ekonomisë pritet të jetë arritja e pagës mesatare në nivelin 900 euro në sektorin publik, indeksimi i pensioneve në tetor dhe bumi turistik i pritshëm midis shifrave 13-15 milionë të huaj. Gjatë këtij viti rritja ekonomike pritet të jetë 3.8%, borxhi publik do të zbresë nën 60%, si dhe është parashikuar rritje e punësimit e ulje e papunësisë.