Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla uroi sot kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Eliane Tillieux, me rastin e marrjes së Presidencës belge të BE-së, me besim në realizimin me sukses të prioriteteve të kësaj Presidence.
 
“Këto prioritete janë udhëharta për një Europë më të fuqishme, më të bashkuar e demokratike, konkurruese dhe të qëndrueshme, me më shumë mirëqenie e drejtësi sociale, të dedikuar për qytetarët e saj dhe të hapur ndaj botës”, shkruan Nikolla në mesazhin e urimit.
 
Nikolla shpreh po ashtu kënaqësinë që zgjerimi do të vijojë të përbëjë një prioritet të Presidencës belge sepse, siç nënvizohet edhe në prioritetet e saj, zgjerimi na bën të gjithëve më të fortë.
 
“Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të kontribuojë në përshpejtimin e ritmeve të evropianizimit të vendit tonë, duke garantuar legjitimitetin demokratik, transparencën dhe karakterin gjithëpërfshirës të këtij procesi, për të përmbushur aspiratat e shqiptarëve, si populli më proevropian në rajon”, u shpreh Nikolla./ata