Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro deklaroi se populli palestinez i është nënshtruar "gjenocidit" për më shumë se 75 vjet dhe e krahasoi atë që ndodhi me Holokaustin.

Në një deklaratë për gazetën "La Jornada" me bazë në Meksikë, Maduro kritikoi komunitetin ndërkombëtar për qëndrimin e "heshtur" përballë ngjarjeve në Palestinë.

Duke kujtuar Holokaustin, Maduro tha: "Sa i përket konfliktit në Palestinë, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ky është gjenocid kundër një populli. Holokaustin që populli hebre e përjetoi gjatë epokës së Hitlerit dhe nazistëve këtë herë po e përjetojnë palestinezët".

Madura tha se populli palestinez i është nënshtruar gjenocidit për më shumë se 75 vjet. "Pjesa më e keqe e gjenocidit është bashkëfajësia dhe heshtja ndaj tij. Elitat evropiane janë dëshmitarët e heshtur të këtij bashkëpunimi. Bombat e prodhuara nga elitat amerikane po masakrojnë palestinezët e pafajshëm", theksoi ai.

Presidenti venezuelas tha se gjykatat ndërkombëtare duhet të marrin masa. Maduro potencoi se mizoritë në Palestinë po ndodhin drejtpërdrejt dhe para syve të botës.

"Krishtlindja nuk u festua në vendin ku lindi Jezusi"

Maduro thotë se Venezuela është në solidaritet me çështjen palestineze.

"Ne jemi të vetëdijshëm për vuajtjet e djemve dhe vajzave në Palestinë. Krishtlindjet nuk u festuan në vendin ku lindi Jezusi. Të gjitha vendet në Betlehem ishin të mbyllura. Vendi ku ndodhet fusha e Jezusit është i rrethuar me tanke. Lufta dhe rezistenca e popullit palestinez është njësoj si lufta dhe rezistenca e popullit tonë. Do të shohim çfarë do të na sjellë", tha Maduro./aa