Investimet në përmirësimin e infrastrukturës së ujitje-kullimit po vijon me prioritet në gjithë vendin.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau këtë fillim viti në rrjetet sociale pamje nga investimi i përfunduar në rehabilitimin e kanalit kullues KK3, në Vlorë, pjesë e infrastrukturës me ngritje mekanike nëpërmjet Hidrovorit të Akërnisë, që përfshin fshatrat Novoselë, Mifol, Aliban, Akërni dhe Shamogjin.

“E nisim vitin me punë të mira, duke lehtësuar sfidat e sezonit të dimrit për fermerët”, u shpreh Denaj.

Ministrja Denaj tha se kjo ndërhyrje përmirëson kullimin e 4600 hektarëve tokë bujqësore.

Ndërhyrjet në kanalet kulluese e vaditëse si dhe te kolektorët kryesorë po vijojnë në gjithë vendin, veçanërisht në zonat me potencial të lartë bujqësor, siç janë Lushnja, Fieri, Vlora etj.

Investimet në këtë sektor sigurojnë që fermerët të kenë ujitjen e domosdoshme të prodhimeve të tyre gjatë sezonit veror, por edhe të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve në stinën e dimrit.

Investimet në përmirësimin e infrastrukturës së ujitje-kullimit në bujqësi janë në prioritet të programit të MBZHR edhe për vitin 2024./ata