Mediat izraelite njoftojnë se ambasadat izraelite në mbarë botën janë vënë në gatishmëri pas vrasjes së zv.shefit të Hamasit, Saleh al-Arouri në Liban.

Arouri u vra në një sulm izraelit në një zyrë të Hamasit në lagjen jugore të Bejrutit të martën në mbrëmje.

Ai ishte lideri më i lartë i Hamasit që u vra nga Izraeli që nga shpërthimi i konfliktit në Rripin e Gazës më 7 tetor.

"Të gjitha ambasadave dhe institucioneve izraelite dhe hebraike iu kërkua të rrisin vigjilencën", njoftoi transmetuesi publik izraelit KAN.

"Forcave Ajrore dhe forcave të stacionuara në kufirin me Libanin iu kërkua gjithashtu të rrisin vigjilencën mes kërcënimeve hakmarrëse nga Hamasi dhe Hezbollahu", shtoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hassan Nasrallah mbrëmë u zotua se vrasja e Arourit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

Kabineti izraelit i sigurisë është planifikuar të mblidhet më vonë gjatë ditës për të diskutuar zhvillimet aktuale pas vrasjes së Arourit.

Izraeli nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për vrasjen e tij.

Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 22.313 palestinezë dhe duke plagosur 57.296 të tjerë./aa