Ushtria izraelite pas një rrethimi 10-ditor ka sulmuar oborrin e spitalit Al-Amal, të lidhur me Shoqatën e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, që ndodhet në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
“Forcat pushtuese janë duke bastisur sheshin e spitalit Al-Amal, i vendosur para portës së jashtme të repartit të pritjes dhe urgjencës, si dhe po qëllojnë (me armë zjarri)”, njoftoi Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze në platformën sociale X.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se pavarësisht bombardimeve dhe të shtënave të vazhdueshme, ekipet mjekësore të shoqatës në spitalin Al-Amal në Khan Younis këmbëngulin në trajtimin e të plagosurve dhe pacientëve.
“Sot, spitali ka pranuar shtatë dëshmorë, përfshirë një punonjës të Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, si dhe ka pranuar nëntë të lënduar. Rrethimi dhe shënjestrimi po zgjat për të dhjetë ditë me radhë”, tha shoqata.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 26.900 palestinezë dhe duke plagosur 65.949 të tjerë.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës është dëmtuar ose shkatërruar./ata