Ankaraja pret që Washingtoni të përfundojë procesin për shitjen e avionëve luftarakë F-16, i tha ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan homologut të tij amerikan Antony Blinken në një takim sot në Istanbul.

Sipas burimeve diplomatike, gjatë takimit, Fidan dhe Blinken kanë diskutuar gjerësisht për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Lidhur me procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, Fidan i ka thënë Blinkenit se parlamenti turk do të japë vendimin përfundimtar për pranimin e vendit nordik në aleancën ushtarake.

Të dy ministrat diskutuan gjithashtu tragjedinë e vazhdueshme humanitare në Gaza, ndërsa Fidan ka tërhequr vëmendjen ndaj agresionit në rritje të Izraelit si një kërcënim për gjithë rajonin.

Lufta në Gaza

Gjatë bisedimeve të tyre, ministri i Jashtëm turk theksoi nevojën për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe vazhdimin e dërgimit të ndihmave humanitare në rajonin e rrethuar.

Ai bëri thirrje gjithashtu për fillimin e negociatave për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë sa më shpejt të jetë e mundur.

Të paktën 22.722 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 58.166 janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. Gati 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.

Sulmet izraelite e kanë kthyer Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës të dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë banorë të zhvendosur, të cilët përballen me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Lufta Rusi-Ukrainë

Fidan nënvizoi gjithashtu dëshirën e Türkiyes për të shmangur tensionet në Detin e Zi.

Ai ka theksuar përpjekjet e Türkiyes për të siguruar dërgimin e sigurt të produkteve ushqimore të prodhuara në Rusi dhe Ukrainë në tregjet botërore.

Korrikun e kaluar, Rusia u tërhoq nga marrëveshja e Detit të Zi, duke thënë se pjesa ruse e marrëveshjes nuk ishte zbatuar. Ajo kërkoi lehtësimin e kufizimeve bankare dhe aftësinë për të dërguar plehrat e saj përpara se të kthehet në marrëveshje.

Marrëveshja, e nënshkruar fillimisht në korrik të vitit 2022 në Istanbul nga Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina, kishte për qëllim rifillimin e eksporteve të drithit nga portet ukrainase të ndërprera për shkak të luftës, e cila filloi në shkurt 2022.

Türkiye, e vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj unik ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, i ka bërë vazhdimisht thirrje Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftimeve përmes negociatave.

Gjithashtu, Fidan dhe Blinken kanë diskutuar negociatat midis Azerbajxhanit dhe Armenisë si dhe çështjet rajonale si Siria dhe Iraku./aa