Sekretarja për pushtetin Vendor dhe Decentralizimin në Partinë Demokratike, Alfrida Marku Dedëgjonaj tha sot se qytetarët e 61 bashkive, edhe këtë vit, do të paguajnë më shumë taksa dhe tarifa vendore për shërbime të cilat vijojnë të mbeten vendnumëro dhe investime që nuk reflektojnë prioritetet e nuk i përgjigjen planeve afatgjata të zhvillimit.

Në një deklaratë për shtyp, Dedëgjonaj theksoi se “9 vite nga Reforma Administrative Territoriale, e njëanshme dhe aspak objektive, qytetarët vijojnë të përballen me sfida e vështirësi të paralajmëruara prej kohësh nga Partia Demokratike. Bashkitë kanë dështuar tu mundësojnë taksapaguesve shërbimet bazë vendore, përmirësimin e tyre, mbulimin e gjithë territorit dhe investimet e duhura. Buxhete vendore të pakonsultuara paraprakisht, e ndërkohë në Buxhetin e shtetit nuk adresohen në mënyrë të drejtë, problematikat e njëjta të bashkive të ndryshme”.

Dedëgjonaj tha se “investimet përqendrohen në qendrat e bashkive duke lënë në harresë zonat rurale. Zhvillimi tashmë i pakontrolluar urban, jashtë çdo standardi, investimet jocilësore dhe me kosto të pajustifikuar, ndërtimet masive, kanë bërë të pashmangshëm kaosin në qytetet e mëdha dhe zonat bregdetare, ku këto të fundit gradualisht po humbasin edhe identitetin. Raporti për frymë i hapësirave publike është deri 20 herë më i ulët se indikatorët. Furnizimi me ujë të pijshëm mbetet ende shumë larg zgjidhjes, edhe në zonat bregdetare, kur turizmi duhej të ishte vërtetë prioritet, ndërkohë rritja e tarifës së ujit të pijshëm në disa bashki, pa investime dhe për të mbuluar humbjet në rrjet, do të jetë një tjetër barrë e shtuar për familjet e bizneset”.

Sipas saj, bashkitë janë kthyer në institucione jo efiçente punësimi, me mbi 30% të të punësuarve të sektorit publik, dyfish krahasuar me pjesën më të madhe të vendeve të Rajonit. 87 milion euro do ti kushtojnë

“Bashkitë dhe qeverisja qendrore kanë dështuar së bashku në misionin e tyre për të përmirësuar jetën e qytetarëve, të cilët për shkak të mungesës së shërbimeve janë detyruar të braktisin zonat ku ata banojnë, apo të largohen përfundimisht nga vendi ynë”, tha Dedëgjonaj.

Deputetja Dedëgjonaj u shpreh se “rishikimi i Reformës Administrative e Territoriale, me ekspertizën më të mire dhe vullnet politik për ti shërbyer interesit qytetar dhe zhvillimit  për të bërë të mundur qartë Decentralizimin dhe Autonominë vendore, zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, reduktimin e shpenzimeve administrative të paarsyeshme, fuqizimin e Bashkive si institucione që mundësojnë shërbime e investime bashkëkohore dhe kudo afër qytetarëve, është obligim ndaj tyre, taksapaguesve që duhet realizuar një orë e më parë e  për të cilin Partia Demokratike është e angazhuar dhe e vendosur për të ndjekur hapat e duhur e të domosdoshëm”./ata