Sekretari për Çështjet Ligjore në Komisionin e Rithemelimit, pranë PD-së, Ivi Kaso i bëri thirrje sot gjyqtarëve të mos marrin urdhra politikë për të mbajtur peng simbolet e PD-së.

Duke iu referuar vendimit të sapozbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, publikuar në faqen zyrtare të tij, i cili detajon të gjitha arsyet për shkarkimin e gjyqtares Blerina Muca para dy muajsh, Kaso theksoi se përvec disa shkeljeve të tjera, që kanë të bëjnë me korrupsionin, pasurinë apo dhe me cështje gjyqësore të keqgjykuara, KPK vlerëson se gjyqtarja Muça nuk ka zbatuar ligjin në vendimin e marrë kundër Partisë Demokratike.

“Bëhet fjalë për vendimin e Blerina Muçës për të pranuar me urdhër të Edi Ramës në shkelje flagrante të ligjit si palë të tretë Enkelejd Alibeajn dhe për të zvarritur vendimin e gjykatës së shkallës së parë që i njihte Komisionit të Rithemelimit të drejtën e vulës dhe përfaqësimit politik dhe ligjor të PD”, u shpreh Kaso.

Sipas Kasos, KPK sqaron se Blerina Muca nuk duket bindëse në shpjegimet e saj dhe se ka legjitimuar një palë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Civile.

“Ky vendim i zbardhur i KPK, jo vetëm legjitimon qëndrimet e Partisë Demokratike për ish-gjyqtaren Muca, por qartëson edhe njëherë se kujt i takon me ligj vula dhe përfaqëimi i Partisë Demokratike, dhe se si simbolet e saj janë marrë peng nga disa gjyqtarë te korruptuar me urdhra politikë. KPK e thotë qartë se Alibeaj nuk ishte palë dhe nuk mund të njihej si palë dhe se nuk kishte tagër përfqësimi, duke lënë kështu në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë”, deklaroi Kaso./ata