Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi nënvizoi sot rëndësinë e ngritjes së komisionit parlamentar kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja.
Në një prononcim për medie pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Çuçi informoi mbi objektin e punës së këtij komisioni, i cili sipas tij është ngritur edhe nga Parlamenti Europian që në vitin 2020.
“Partia Socialiste i ka paraqitur një kërkesë Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë për krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri”, tha Çuçi.
Sipas tij, ky është një komision me rëndësi të veçantë të cilin e kanë edhe vende të tjera demokratike.
“Ky komision do t’i japë një rëndësi dhe peshë të veçantë Kuvendit në lidhje me këtë fenomen që është kthyer në shqetësim edhe në vendete tjera. Komisioni do të ketë një veprimtari gjithëpërfshirëse afatgjatë sepse duhet të shikojë gjithë veprimtarinë e të gjitha institucioneve në lidhje me këtë çështje sensitive. Qëllimi kryesor është përmirësimi i legjislacionit”, tha ai.
I pyetur mbi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, Çuçi u shpreh se së shpejti do të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Rregullores.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është mbledhur Këshilli i Legjislacionit i cili ia ka dërguar çështjen Këshillit të Mandateve dhe Rregullores që të shprehet. 4 muaj kanë qenë tym e flakë, tani ka hyrë në normalitet”, tha ai./ata