Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar kontrollet në pronën e bashkëjetueses së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj nga Byroja Kombëtare e Hetimit.

 

 

Berisha: Koalicioni do jetë koalicion fitimtar. PD do e drejtojë koalicionin. Ju duhet të keni parasysh, dy figurat Rama dhe Veliaj, nuk takojnë dot qytetarë. Edhe zyrtarët që i fusin në takim, i fusin me detektorë metalikë. E kuptoni se çfarë tmerresh i kanë kallur atij. Kurse Veliaj rrethohet nga një batalion i policisë bashkiake dhe takon 3-4 vetë të përgatitur. Rama-Veliaj janë autorë kryesorë të aferës së tmerrshme të djegësave. Kryetar është direkt Edi Rama. Ia dha Arben Ahmetaj. Le të kontrollojë syndyqet e gruas së Ahmetajt, por nuk shpëton Edi Rama nga afera e djegësve. Të bëjë ç’të dojë, të kontrollojë kë të dojë. Ai është njeriu që mobilizoi qeverinë për një aferë të tmerrshme. Erion Veliaj kreu krimin e shëmtuar duke firmosur në emër të gjithë këshillit dhe sot gjobit qytetarët me 18 euro për çdo ton. Janë të zier në krim, janë të mbrujtur në krim, janë të pashpresë. Ndaj i bën këto. Kontrollon shtëpitë vetëm për të shpëtuar nga inceneratorët. Se SPAK është shndërruar totalisht në repart të PS-së. Totalisht!

 

Një ditë më parë me vendim të Gjykatës Kundër Korrupsionit, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontroll në një prej pronave të bashkëjetueses së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj.

 

 

Kontrolli është bërë në funksion të dosjes hetimore ngritur për aferën me inceneratorët ku ka prova të dukshme se dhe ish-ministri Ahmetaj ka përfituar favore nga Klodian Zoto si bileta avioni apo akomodime në hotele. Burimet thonë se nga kontrolli janë gjetur shuma të arsyetuara parash dhe asgjë e paligjshme.

 

Megjithatë, oficerët e BKH dhe SPAK po kryejnë një verifikim të pasurive jo vetëm të ish-ministrit por dhe të ish-bashkëshortes së tij dhe bashkëjetueses në disa rezidenca, kryesisht në Tiranë dhe Durrës.