Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot autostrada Tiranë- Durrës do të kthehet me 3 korsi, plus një korsi emergjence.

Në konferencën për shtyp, mbi zhvillimet në infrastrukturën në vend gjatë vitit që lamë pas, por dhe projektet për këtë vit, Balluku theksoi se në 5-vjeçarin e ardhshëm i gjithë rrjeti rrugor do të jetë i integruar me njëri-tjetrin dhe flukset e trafikut do të jenë të mirërregulluara, pasi këtë vit do të nisë edhe ndërtimi i aksit Kashar-Lekaj.

“Autostrada Tiranë -Durrës është një nga akset më të rëndësishme, por në të ardhmen përdorimi i këtij aksi do të jetë më i paktë nga sa është sot, duke qenë që edhe sot shumica e trafikut të Tiranës, që do të aksesojë Fierin po përdorin rrugën e Elbasanit”, shtoi Balluku.

Sipas saj, aksi Kashar-Lekaj është komplet një aks i ri që kalon përmes zonës së Arbanës, Ndroqit dhe akseson Rrogozhinën, duke u dhënë mundësi drejtuesve të automjeteve që kërkojnë të shkojnë në pjesën rrugore dhe janë duke ardhur nga Veriu, mos t’i afrohen fare Durrësit dhe të mos futen në Tiranë, por të vazhdojnë drejt.

“Do të ketë disa zgjedhje dhe zgjidhje në të ardhmen në këtë proces të rregullimit të trafikut kombëtar. Gjithë këtë rregullim do ta bëjë byjpasi i Tiranës, i cili është një projekt tashmë i aprovuar. Kemi fituar edhe grantin për këtë projekt nga WBF. Jemi në fazën përfundimtare të koordinimit me donatorët, BEI dhe IBRD dhe brenda 2024 nis gara ndërkombëtare për ndërtimin e këtij bajpasi, që do të jetë rregulluesi dhe lidhësi i të gjithë kësaj infrastrukture”, deklaroi ministrja./ata