Në analizën vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Zv/Kryeministrja Belinda Balluku vuri theksin te Porti i ri i Durrësit.

Sipas Ballukut, Porti i ri i Durrësit do ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër në turizmin Mesdhetar.

“Portit të ri të Durrësit, një nga projektet më të rëndësishme të dekadës së ardhshme. Do ta vendosi Shqipërinë në një nivel tjetër për sa i takon industrisë detare, në një nivel tjetër në Mesdhe, nyje turistike, po edhe nyje ushtarake, pasi i kemi propozuar NATO-s për të patur një bazë detare të aleancës në zonën e Porto Romanos”, tha Balluku.

Drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Pirro Vengu, tha se rritja e të ardhurave doganore në katër vitet e fundit është 24.7%, ndërsa bëri të ditur se risi është afrimi i sipërmarrësve nga Serbia, që përdorin këtë pikë hyrëse për të transferuar mallrat e tyre.

“Në Portin e Durrësit realizohen 95%  e transportit detar dhe shteti vjel 50% e të të ardhura doganore në vend. Nëse shohim në kontekstin historik,  nga viti 2019-2023, kemi patur rritje të të ardhurave doganore në nivelin 24.7%, rritje më e lartë se Prodhimi i Brendshëm Bruto, çka tregon se sektori transportit detar është kontribues domethënës në vend”, tha Vengu.

Sipas tij, sektori më frytdhënës janë kontejnerët, teksa numri i pasagjerëve nuk ka pësuar rritje të ndjeshme dhe kjo i adresohet forcimit të industrisë së aviacionit.

“Sektori i kontejnerëve ka njohur afërsisht 33% rritje, dhe rritja më modeste është 4% tek pasagjerët. Suksesi aviacionit në këto vite ka patur një impakt në rritjen më modeste të pasagjerëve që zgjedhin transportin detar me traget. Ky është thellim i një trendi të pesë viteve të fundit”, tha Vengu.

“Kemi tejkaluar dhe parashikimet që thonin se në portet shqiptare nuk mund të kalohet përpunimi i sasisë së 5.8 milion tonë mallra në vit. Kjo shifër u tejkalua fund-vitin e shkuar. Kjo i atribuohet suksesit të sektorit turistik, që solli rritje të konsumit, por edhe eksportet, ku sektori mineral ka njohur rritje”, tha Kreu i Autoritetit Portual Durrës.

“Dimensioni rajonal i infrastrukturës portuale, që kemi një thellim të përdorimit të tij nga sipërmarrës nga Kosova, ku 1/3 klientëve është nga Kosova. Kemi klientelë të re nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe kemi një risi, që janë klientët nga jugu i Serbisë, që kërkojnë daljen në Adriatik, si dalja më efeciente”, shtoi Vengu.

“Me pak fjalë këto elemente i japin të drejtës strategjisë së qeverise për infrastrukturën portuale, të miratuar në vitin 2020. Një ndërlidhje më e mirë me korridorin tetë për turizmin dhe mallrat. Qendra ekselencës për çështjen detare, 200 persona të trajnuar çdo vit. Nëse vijojmë këtë trend, do duhet që çdo dhjetë vitet ë ndërtojmë një terminal të ri”, përfundoi Vengu./ata