Në Drisht të Shkodrës, ka nisur puna e fermerëve për mbjelljen e qepës.
Fshati i njohur për kultivimin e kësaj bime prej rreth 200 vitesh, e ka traditë dhe fara është ruajtur dhe trashëguar prej brezash.
Mes dhjetëra e dhjetëra të moshuarve që po përgatisin tokën për mbjellje, takojmë edhe çiftin Bregu.
Të dy fshatarët tregojnë se pavarësisht mundit që ka qepa, tregu është i sigurtë pasi këtë prodhim e kërkojnë të gjithë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, qepa e Drishtit u certifikua zyrtarisht nga Ministria e Bujqësisë si produkt i origjinës që do të thotë se tashmë është e mbrojtur me ligj. Qëllimi i kësaj nisme të ministrise është që të ruhet identiteti shqiptar i produktit, por edhe për t’i dhënë një vlerë të shtuar të saj.