Bashkimi Evropian duhet të formojë ushtrinë e vet të kombinuar që mund të luajë një rol në ruajtjen e paqes dhe parandalimin e konflikteve, tha ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani.

Në një intervistë për gazetën italiane La Stampa, Tajani tha se bashkëpunimi më i ngushtë evropian në fushën e mbrojtjes është prioritet për partinë Forza Italia që ai drejton.

“Nëse duam të jemi paqeruajtës në botë, na duhet një ushtri evropiane. Dhe ky është një parakusht themelor që ne të kemi një politikë të jashtme evropiane efektive,” tha ai në një intervistë.

“Në një botë me lojtarë të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Rusia – me kriza nga Lindja e Mesme deri në Indo-Paqësorin – qytetarët e Italisë, Gjermanisë, Francës apo Sllovenisë mund të mbrohen vetëm nga diçka që tashmë ekziston, d.m.th. Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Bashkëpunimi evropian i mbrojtjes është ngritur në axhendën politike që nga pushtimi rus i Ukrainës pothuajse dy vjet më parë.

Megjithatë, përpjekjet kanë qenë më të përqendruara në zgjerimin e NATO-s, me anëtaren e BE-së, Finlandën që iu bashkua aleancës vitin e kaluar dhe Suedisë gjithashtu në rrugën e duhur për t’u bërë anëtare.

Tajani tha gjithashtu se BE-ja 27-anëtare duhet të përmirësojë udhëheqjen e saj dhe të ketë një presidencë të vetme, në vend të strukturës aktuale të presidentit të Këshillit Evropian dhe presidentit të Komisionit Evropian.

Ministri i Jashtëm u bë kreu i Forza Italia pas vdekjes së Silvio Berlusconit vitin e kaluar. /tesheshi.com/