Është rritur në 202 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmetet që ndodhën në rajonin Ishikawa në perëndim të Japonisë dhe në bregdetin e Gadishullit Noto.
Në një deklaratë nga prefektura e rajonit Ishikawa thuhet se është rritur në 202 numri i personave që humbën jetën në tërmetet e shumta që ndodhën në javën e parë të janarit.
Në të gjithë rajonin mbi 28 mijë njerëz qëndrojnë në pikat e evakuimit ndërsa për shkak të bllokimit të rrugëve kanë mbetur të bllokuar 3.300 persona.
Pas pushimit të ndërmjetëm dy-javor dhe festës zyrtare të 8 janarit (dita e të rriturve-Seijin no Hi), në të gjithë vendin filloi mësimi ndërsa në Ishikawa mësimi nuk filloi në më shumë se 80 shkolla.
Vihet në dukje se në shkollat ku nuk filloi mësimi janë shënuar dëme nga tërmeti. Numri i personave, fati i të cilëve nuk dihet ende në të gjithë Gadishullin Noto është 102, ndërsa numri i personave që marrin trajtim për lëndime të ndryshme është 565.
Kabineti i kryeministrit japonez, Fumio Kishida ka miratuar ndarjen e 4.7 miliardë jen (33 milionë dollarëve) nga fondet rezervë të vitit fiskal 2023 me qëllim për restaurimin e rajonit.
Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze (JMA), në periudhën 1-5 janar shumë tërmete me magnitudë nga 5 deri në 7 ballë kanë ndodhur në Gadishullin Noto dhe në brigjet e Ishikawa-s./aa