Asambleja Kombëtare e Koresë së Jugut ka miratuar projektligjin që ndalon tregtimin dhe konsumimin e mishit të qenit në vend.
Projektligji për ndalimin e kultivimit, therjes, shpërndarjes dhe shitjes së qenve për mish u miratua me 208 vota pro dhe dy abstenime, njoftoi agjencia e lajmeve koreano-jugore Yonhap.
Nëse projektligji bëhet ligj, është planifikuar që të hyjë në fuqi në vitin 2027 dhe shkelësit e ligjit mund të dënohen maksimum me 2 vite burgim ose gjobë prej rreth 23 mijë dollarë.
Projektligji përfshin gjithashtu dhënien e subvencioneve për personat që punojnë në industrinë e mishit të qenve për të ndërruar punë.
Koreja e Jugut ka rreth 1.150 ferma qensh, 34 thertore, 219 shpërndarës dhe rreth 1.600 restorante që shesin ushqime të bëra nga mishi i qenit, sipas të dhënave të qeverisë.
Sipas një sondazhi të zhvilluar në Korenë e Jugut, më shumë se 90 për qind e të anketuarve thanë se nuk do të konsideronin të hanë mish qeni./aa