Zyra për Media e Qeverisë në Gaza njoftoi se dy gazetarë të tjerë palestinezë u vranë në sulmet e reja izraelite në Rripin e Gazës, duke e rritur numrin e gazetarëve të vrarë në 112 që nga 7 tetori.

Një deklaratë nga zyra e medias identifikoi gazetarët e vrarë si Abdullah Breis dhe Mohammad Abu Dayer, por pa dhënë asnjë detaj të mëtejshëm.

Sipas gazetarit të Anadolu-t, Abu Dayer u vra kur avionët luftarakë izraelitë goditën një shtëpi në qytetin al-Fakhour në pjesën veriore të Rripit të Gazës.

Dje, tre gazetarë palestinezë u vranë në sulmet izraelite, duke përfshirë djalin e gazetarit të Al-Jazeera-s, Wael Dahdouh.

Izraeli ka nisur sulme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.

Të paktën 23.084 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 58.926 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Sulmi izraelit e ka lënë Gazën në gërmadha, ku 60 për qind të infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, dhe gati 2 milionë banorë janë të zhvendosur mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve./aa