Përpara se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për ligjin e miratuar nga mazhoranca dy javë më parë në Kuvend për komisionet hetimore, Gazment Bardhi ka thirrur në ndihmë presidentin Bajram Begaj.

Përmes një letre 7 faqëshe, për të cilën vë në dijeni edhe ambasadat e huaja në vendin tonë, Bardhi i kërkon Begajt, në emër të deputetëve të opozitës, të kthejë për rishqyrtim ligjin e ri të komisioneve hetimore. Për Bardhin kështu Presidenti do të luante edhe rolin e tij që ia imponon Kushtetua, si nxitës i dialogut politik.

 “Hyrja në fuqi e këtij ligji, që në mënyrë antikushtetuese nuk lejon kontrollin efektiv parlamentar nga ana e pakicës, do të minonte çdo mundësi dialogu mes palëve politike në Parlament, për gjetjen e një zgjidhje mbi situatën e krijuar. Në këtë kuptim, Presidenti i Republikës, si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, duhet të luaj rolin e tij kushtetuese për të nxitur dhe mundësuar dialogun politik mes palëve, ku përfshihet edhe diskutimi dhe miratimi konsensual i ndryshimeve në ligjin për Komisionet Hetimore”

Ligji për komisionet hetimore u miratua me 75 vota në seancën e fundit parlamentare të dhjetorit. Ai erdhi në Kuvend me propozim të PS në kohën kur pikërisht refuzimi i komisioneve hetimore u kthye në mollë sherri mes opozitës dhe maxhorancës në Kuvend.