Drejtuesit e monopatinave shkaktuan 48 aksidente në Tiranë gjatë vitit 2023, me një të vdekur dhe 31 të plagosur lehtë. Kjo situatë u bë shkak për ndryshime në kodin rrugor me qëllim ndëshkimin e kundravajtësve.

Që prej gushtit 2023 deri në fund të vitit Policia e Shtetit ka vendosur në rang vendi 296 gjoba për të gjithë drejtuesit e monopatinave që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit.

Vëzhgimi në terren konstatoi një rast “Rrugën e Kavajës”, ku drejtuesi i monopatinës edhe pse e ka pak metra larg korsinë e dedikuar, ecën në mes të rrugës së automjeteve, madje në sens të kundërt.

Sipas shifrave të policisë, në 5 muajt e fundit të vitit 2023, janë ndëshkuar mesatarisht 2 përdorues monopatinash në 24 orë. Masa administrative për drejtuesit e kësaj kategorie të mjeteve, është 500 deri në 2 mijë lekë. Por shkeljet duket se vazhdojnë.

Policia është e vetëdijshme se kjo kategori mjetesh është kthyer në problematikë.

 “Ankesat janë të rralla, por në syrin tonë të përditshëm vihet re që ka nevojë për ndërhyrje në lidhje me këtë kategori shkeljesh, është një kategori që ende nuk është vendosur në shinat e ligjshmërisë. Kemi raste të shkeljeve flagrante të tyre”, tha Gerhard Baka, specialist i qarkullimit rrugor.

Edhe ata të cilët qarkullojnë në korsinë e dedikuar, janë në shkelje të Kodit Rrugor, pasi nuk janë të pajisur me kaskë mbrojtëse.

Qytetarët, por edhe drejtuesit e mjeteve, i konsiderojnë monopatinat të rrezikshme.

“Janë shumë problem se nuk mbajnë korsitë e tyre dhe bëjnë zig-zage”.

“Po të rrezikuar ndihemi se vijnë befasisht”

“Unë për vete i kam frikë se eci me makinë dhe i kam bezdis se ecin pa kujdes”.

"Më kanë përplasur njëherë, as ndaluan fare ikën. Duke pritur për të kaluar te vizat e bardha. Shumë problem, edhe për fëmijët edhe për ne pleqtë".