Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka theksuar se duhet të përfundojë humbja e jetëve në Gaza ku Izraeli vazhdon sulmet e tij.

"Tashmë duhet të ndalojmë vrasjen e civilëve në Gaza", tha Borrell në një deklaratë pas takimeve në Liban dhe Arabinë Saudite. Borrell bëri të ditur se gjatë vizitës është fokusuar mbi situatën humanitare në Gaza dhe parandalimin e rrezikut të konfliktit rajonal.

Borrell u shpreh se ka marrë informacion lidhur me situatën në Gaza në takimin që zhvilloi me Komisionerin e Përgjithshëm të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini dhe se qindra mijëra njerëz në rajon kanë humbur shtëpitë e tyre, nuk mund të gjejnë ushqim dhe se kushtet e tyre janë "të tmerrshme".

Duke vënë në dukje se duhet të pengohet që tensioni në rritje në Detin e Kuq dhe në kufirin Liban-Izrael të kthehet në një konflikt rajonal, Borrell bëri vlerësimin se "Lufta duhet të ndalet dhe jo të rritet. Ndërsa zgjidhja e vetme për të parandaluar përhapjen e luftës është kërkimi i zgjidhjes politike në konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës".

Ndër të tjera Borrell vuri në dukje se gjatë takimit të tij me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Faisal Bin Farhan, ata ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.

Zgjidhja në çështjen Izrael-Palestinë duhet të jetë politike dhe jo ushtarake, theksoi Borrell, i cili shtoi se "Tashmë duhet të ndalojmë vrasjen e civilëve në Gaza. Duhet të ndalim përjetimin e humbjeve të kaq shumë jetëve".

Dje në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, Borrell u takua gjithashtu edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) Jasem Mohamed Al-Budaiwi./aa