Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi bisedë telefonike me Papa Françeskun, kreun e Kishës Katolike dhe presidentin e Vatikanit.

Në deklaratën e Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës thuhet se presidenti Erdogan gjatë bisedës ka thënë se shfaqjet imorale të ekspozuara në një pjesë të hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit kanë shkaktuar zemërim dhe reagime.

Erdoğan deklaroi se nën maskën e lirisë së shprehjes dhe tolerancës, po shkelet dinjiteti njerëzor, po bëhen tallje me vlerat fetare dhe morale dhe se kjo i ofendon muslimanët po aq sa edhe botën e krishterë dhe që beson se është e nevojshme që së bashku duhet të ngrihet zëri dhe të mbahet një qëndrim i përbashkët kundër këtyre.

Ai vuri në dukje se sfida ndaj vlerave fetare, bërja e propagandës së çoroditur gjatë Lojërave Olimpike të cilat mbahen për të bashkuar njerëzit, janë kambana alarmi për rënien morale në të cilën është tërhequr bota.

Në bisedë presidenti Erdoğan potencoi se sulmet izraelite në Gaza janë kthyer në gjenocid, se po përjetohet një krizë e rëndë humanitare dhe se Izraeli i kryen masakrat e tij nën ombrellën diplomatike, ekonomike dhe ushtarake që i kanë ofruar disa shtete.

Erdoğan tha se vrasja e kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe sulmi në Liban treguan edhe një herë se Izraeli është kërcënim për të gjithë rajonin, botën dhe njerëzimin dhe se është e nevojshme që si aleancë njerëzimi të kalohet në veprim para se të jetë vonë, në mënyrë që të gjejnë qetësi muslimanët dhe të krishterët, veçanërisht ata që jetojnë në Palestinë.

Erdoğan ka shprehur besimin se bisedimet e Papa Françeskut me vendet që mbështesin Izraelin do të jenë të dobishme për të ndalur sulmet dhe për të siguruar paqen e përhershme, pa shkaktuar dëme të përhershme në strukturën politike, të sigurisë dhe sociale të rajonit dhe botës.

Papa Françesku falënderoi presidentin Erdoğan për përpjekjet që ka treguar për paqen dhe ndjeshmërinë ndaj degradimit të vlerave fetare./aa