Drama “Dua një vend” me regji nga Ema Andrea do të shfaqet per 4 netë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina”.
Vepra e autorit grek Andreas Flurakis, “Dua një vend” (I Want a Country), përmbledh ide dhe ndjesi të thjeshta të njeriut të përditshëm për të përshkruar luftën vetjake për mbijetesë të secilit prej atyre që qoftë dhe një herë kanë pyetur veten: “Të rri në këtë vend mes pasigurive, apo të emigroj në një vend tjetër?”
Mirëpo, a ndërtohet një vend i ri, duke bartur në vetvete shembujt e papërsosur të një vendi të vjetër? Askush nuk e di se ç’duhet të bëjë, por kujtimi i përkundjes nën ninullat e gjyshes, në prehrin e saj, i shtyjnë personazhet të flenë një herë, dhe të vendosin të nesërmen se ç’do të bëjnë.
Drama vjen me interpretimin e aktorëve: Loredana Gjeçi, Adriana Tolka, Matia Llupa, Paolo Kadillari, Artemis Beluli, Eva Gjika, Eraldo Malaj, Lindar Kaja.
Shfaqja teatrore këtë muaj të parë të vitit sipas TKES do të jetë në datat 10, 12, 13 dhe 14 janar./ata