Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi sot një takim me ekipin e AADF për t’u njohur me ecurinë e një sërë projektesh shumëdimensionale për menaxhimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Projektet e ndërmarra në bashkëpunim me AADF janë menaxhimi i integruar i Parkut Kombëtar të Butrintit, Muzeu shqiptaro-hebraik në Vlorë, restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës TID të gjendur në Parkun Arkeologjik dhe Amfiteatri i Durrësit, përmirësimi i destinacionit kulturor të Kalasë së Beratit, EXPA – “Të Fuqizojmë Muzetë përmes Teknologjisë”, si dhe trashëgimia kulturore jomateriale si pjesë e UNESCO.
“I lumtur të çoj përpara një mision fantastik që kërkon një koordinim ndërinstiticional dhe një sinergji që MEKI, ministria e re e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të gjenerojë me forcë e ritëm edhe më të intensifikuar, në emër të Qeverisë Shqiptare”, u shpreh Gonxhja në rrjetet sociale.
Ministri bëri të ditur se do të vijojë bashkëpunimi për të sjellë kulturën e pasur kombëtare si një realitet më të prekshëm e si një potencial të lartë të zhvillimit ekonomik e turistik përmes projekteve e investimeve, partnerëve e proceseve të fundit të teknologjisë, si dhe përmes nxitjes së punësimit.
Pjesë e këtij takimi ishte dhe ish-ministrja e Kulturës, Elva Margariti./ata