Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, kemi sistemin më të prapambetur, më arkaik më banal të drejtësisë në Evropë, nëse flasim për dixhitalizim

Në një konferencë për median pas mbledhjes së fillimvitit për prioritetet e 2024, Rama u shpreh se, “një nga problematikat më të rënda që ne kemi trashëguar nga e shkuara ka qenë kioskëzimi, si një fenomen shumë më i gjerë sesa kioskëzimi material i ngrehinave në territor.

“Ne kemi pasur një qeverisje të kioskëzuar, një shtet të kioskëzuar dhe një viktimë shembullore i këtij mentaliteti qeverisës dhe i kësaj kulture të dobët të shtetit është inovacioni”, theksoi Rama.

“Është investuar në inovacion, në sensin është investuar në dixhitalizim në vite edhe më parë, modestisht, por është investuar, mirëpo janë krijuar sisteme të mbyllura që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. Secili ka ndërtuar një sistem”, tha Rama.

Kryeministri solli shembullin e sulmit kibernetik ndaj Parlamentit.

“Pse Parlamenti i Republikës së Shqipërisë u godit me sukses dhe me lehtësi nga armiqtë tanë kibernetikë? Sepse ishte jashtë sistemit. Ishte një kioskë dixhitale. Dhe ne kemi shumë kioska të tilla ende, të cilat janë jashtë sferës së kompetencës së drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ndërkohë, shtoi Rama, “kushtet edhe të kësaj epoke që e ka sjellë luftën kibernetike si një kërcënim të ri që do të shkojë duke u shtuar, e duke u shtuar. E patë çfarë i bënë ukrainasit dje Rusisë, që është një nga fuqitë më të mëdha kibernetike sot, i morën peng një pjesë të madhe të Moskës, pa drita, pa informacion. Që do të thotë, është një luftë, ku në vazhdimësi do të përgatitesh, do goditesh, do reagosh dhe kërkon një sistem mbrojtje. Siç kemi një ushtri që mbulon gjithë territorin e republikës së Shqipërisë, siç kemi forcë mbrojtëse, duhet të kemi forcë unike, ku sigurisht institucionet kanë pavarësinë e tyre në përdorimin e pjesës së tyre të sistemit, por sistemet nuk mund të jenë sisteme kioska”.

“Ne sot kemi një situatë shumë dramatike me sistemin e drejtësisë. Nëse flasim për përparime të caktuara, ne kemi sistemin më të prapambetur, më arkaik më banal të drejtësisë në Evropë, nëse flasim për dixhitalizim. Akoma me defter që janë shumë më të keq renditur sesa defterët e kohës së Perandorisë Otomane dhe të periudhës së diktaturës, kjo është e kuptueshme. Kanë shumë më tepër gabime ortografike dhe formulime ekstravagante të pakuptueshme sesa në kohën e Perandorisë Otomane dhe në kohën e diktaturës dhe mbi të gjitha nuk mundësojnë asnjë shpejtësi dhe asnjë transparencë në trajtimin apo në monitorimin e çështjeve gjyqësore”, tha Rama.

“Problemi konceptual filozofik është që ndërkohë që ne institojmë prej vitesh të kërkojmë nga institucionet e reja të drejtësisë dhe këtu e kam fjalën për Këshillat përkatës që të qasen në mënyrë bashkëpunuese dhe konstruktive që të bëhen pjesë e të njëjtit sistem, dëgjojmë broçkulla për pavarësi. pavarësia është një gjë dhe sistemi është një gjë tjetër”, theksoi Rama.

Rama solli si shembull prodhimin e makinave Mercedes-Benz.

“Mercedes-Benz prodhon makina për të gjithë dhe pastaj secili shofer drejton në mënyrë të pavarur mjetin e vetë”, tha Rama.

“Sistemi dixhital dhe sistemi i mbrojtjes kibernetike të një shteti serioz është një. Nëse parlamenti do të ishte përfshirë në sistemin e AKSH-it dhe në sistemin e mbrojtjes nga AKCESK-u, agjencia e re që ne kemi ngritur, do e kishte më të lehtë, shumë më të lehtë. Nuk them që mund të mos goditej, por do ta kishte shumë më të lehtë”, theksoi Rama.
“Në këtë sens inovacioni është një problem në rast se ne nuk i marrim të gjitha të mirat dhe nga ana tjetër është një bekim për vendet si i yni që përmes inovacionit mund të bëjnë kapërcime që në kohën përpara teknologjisë lartë do ishin të pamundura”, shtoi ai.

“Mungesa e sistemeve të mirëstrukturuara, të cilat funksionojnë si duhen me letra, bëjnë që t’i të kesh shumë më tepër hapësirë për të ecur me teknologjinë. Pse vende si Gjermania në inovacion dhe dixhitalizim janë më mbrapa se vende të tjera të Evropës. Pse Estonia u bë vendi lider i Evropës duke qenë një vend i vogël dhe shumë më e prapambetur se Gjermania? Sepse të kthesh një makinë të madhe apo anije të madhe është shumë më e vështirë sesa të kthesh një varkë që nuk i ka të gjitha ato pajisjet e anijes së madhe, por ka mundësi të kthehet”, u shpreh Rama./ata