53 kilogram kokainë janë sekuestruar në Itali dhe tre shqiptarë kanë rënë në pranga. Droga u sekuestrua në portin e Livornos nga policia e financave dhe agjencia doganore. Tre shqiptarët janë arrestuar nën akuzën për trafik droge.

 

Kontejneri me kokainë kishte ardhur nga Amerika e Jugut dhe ishte ankoruar në portin e Livornos në Itali. Policia ka vënë re lëvizje të dyshimta në kontejner gjatë natës dhe pasi kanë ushtruar kontrollin kanë gjetur kokainë të ndarë në pako.Autoritetet i kapën në flagrancë tre shqiptarët, të cilët po shkarkonin kokainë nga kontejneri. Nëse droga do të dilte në treg, do të kapte vlerën 10 milionë euro.