Kryeministri Edi Rama tha se, “ligji për ngritjen e komisioneve hetimore është bërë i bazuar mbi modelin bazë gjerman, nga i cili u ndërtua ai ligj që në fillesë dhe ne nuk e negociojmë atë”.

Rama i pyetur nga gazetarët mbi veprimin e mazhorancës nëse presidenti do të kthente mbrapsht projektligjin për komisionet hetimore, tha se “një mundësi e tillë nuk ekziston pasi ligji është bazuar në modelin gjerman”, teksa shtoi se “për projektligjin nuk do të ketë negociata me opozitën”.

“Ne nuk negociojmë dot modelin gjerman me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin si shqiptarë dhe janë në kërkim të modelit të tyre” tha Rama.

Kryeministri foli edhe për situatën e krijuar në Kuvend pas kaosit të shkaktuar nga deputetët e opozitës.

“Qasjen ndaj parlamentit e përcaktuan grekët e lashtë që ndërtuan skenën e parë të shkëmbimit të opinioneve dhe hapën siparin e demokracisë. Pra në atë skenë nuk përfshiheshin mundja, boksi dhe aktivitet me natyrë fizike, përveç qëndrimit në këmbë ose ulur. Grekët kishin stadiume dhe pista për aktivitete fizike dhe kishin skenën e debatit demokratit për aktivitetin mendor. Nuk më rezulton që gjatë historisë së tij parlamentarizmi të ketë kaluar dhe është pranuar bashkëjetesa e sporteve fizike me ushtrimin e të drejtës së fjalës dhe garantimin e të drejtës së tjetrit për të folur”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se, në parlament do të qasen siç janë qasur greket, britanikët dhe siç qasen të gjithë ata që gëzojnë sot demokracinë dhe mundësinë që jep demokracia për të pasur parlamente.

“Për sa kohë përballë do të kemi shëmbëlltyra e keqkuptimit të madh midis sportit fizik të natyrës, boks, heqje disku apo ndezje flakadanësh ne do të votojmë dhe do të largohemi. Lufta fizike aty nuk bëhet për asnjë problem të natyrës filozofike apo konceptuale. Bëhet për një problem që ju e dini të gjithë. Një problem njerëzor por jo i kësaj shoqërie dhe i këtij populli problemi me drejtësinë i një individi që ka kaluar nga parlamenti në ballkon dhe pret nga parlamenti përplasje. Siç prisnin ata në Romë, ata që rrinin atje në lozhë dhe skllevërve të tyre u thonin përplasuni me luanët. Por ne nuk jemi as skllevër as luanë, jemi përfaqësues të shumicës që bëjmë punën tonë”, deklaroi Rama./ata