Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimi i Gjykatës së Posaçme për çështjen “Beleri” është pozitiv në këndvështrimin e tij.

I pyetur nga gazetarët se si do të zgjidhet ngërçi me bashkinë e Himarës, Rama tha se duhet të pritet që vendimi për Belerin të marrë formën e një vendimi të prerë. “Nuk mund të veprojmë ne me një vendim të shkallës së parë dhe pastaj vendimi i Apelit të thotë diçka tjetër”, tha Rama.

Rama iu përgjigj disa hamendësimeve në lidhje me zëvendësimin e Belerit duke theksuar se këto dhe të tjerat që kanë qarkulluar kanë burim medien greke, nuk kanë as medien shqiptare, as qeverinë, as zyrën e tij.

Kryeministri Rama u shpreh se “nuk komentoj se çfarë më vënë mua në gojë apo kurriz mediet greke pa më pyetur edhe mua”.

“Ne presim vendimin e formës së prerë”, përfundoi Rama./ata