Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje disa prej investimeve të rëndësishme infrastrukturore që po zbatohen në Lezhë, me impakt në zhvillimin e turizmit.
Gjatë konferencës për shtyp në përfundim të mbledhjes dyditore të kabinetit qeveritar në Shëngjin, Rama u ndal te bajpasi i Shëngjinit, i cili sipas tij është në proces.
“Bajpasi që kemi folur është në proces, nuk hyn te infrastrukturat e mëdha. Bajpasi është kërkesë këmbëngulëse e kryebashkiakut të Lezhës të cilin e përshëndes se ndodhet për punë jashtë vendit. Për hir të së vërtetës është një kërkesë shumë e drejtë, siç janë të drejta 99% të kërkesave e pretendimeve që ai ka, duke qenë se e njeh mirë zonën ka përkushtim të veçantë etj. Është e gjatë lista e arsyeve pse Pjerini është njeriu i duhur këtu”, tha ai.
Ndërsa për rrugën Shëngjin-Velipojë, Rama sqaroi se ky segment është financuar nga donatorët.
“Pra është me financim të huaj dhe kur shfaqen probleme të natyrës legale, kur del njëri dhe thotë jam pronar apo kur ndodh siç na ndodhi me bashkinë e vjetër të Shkodrës me ish-kryetarin e bashkisë së Shkodrës që bashkia nuk bën punë me shpronësimet, atëherë proceset vonohen, ndërpriten menjëherë sepse janë kushtet normale të financimit”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se “na ndodh me financime të brendshme që të ketë problematika të tilla, por në rastet kur njerëzit kanë të drejtë ulemi, diskutojmë, vendosim disa afate dhe na mirëkuptojnë dhe zgjidhen”.
“Kurse me financimet e huaja nuk mund ta bësh dot këtë. Këto vonesa na kanë penguar. Unë e ndjek këtë rrugë vetë me vëmendje se ndërtohet nga FSHZH, por është nga ato ndërhyrjet strategjike që kanë të bëjnë me turizmin. Po ecën dhe do të jetë një gjë shumë e bukur”, tha ai.
Rama theksoi se “ka disa projekte vërtetë spektakolare për zhvillimin e turizmit në Lezhë”.
“Kemi kaluar para disa ditësh një leje zhvillimi që na erdhi si kërkesë e një sipërmarrje të rëndësishme në Kosovë. Ka qenë vërtetë një kënaqësi për projektin dhe faktin se një sipërmarrje e Kosovës investon në bregdetin shqiptar. Dua t’i bëj thirrje sipërmarrësve të Kosovës që janë shumë të mirëpritur të vijnë të investojnë në turizëm, sidomos në këtë zonë”, u shpreh ai.
Kryeministri vlerësoi se ajo që ka ndodhur me Shëngjinin si rezultat i punës së disa sipërmarrësve dhe i punës së kryetarit të bashkisë, e ka bërë Shëngjinin shembullin e pastërtisë që është ndjekur dhe nga të tjerët.
“Kjo bën që Shëngjinin nëse e shkëput, të bën të duket si një segment i rivierës spanjolle. Po kërkojmë investime të cilësisë së lartë, na duhet të sjellim në Lezhë konsumatorë të lartë. Të sjellësh sa më shumë njerëz që shpenzojnë këtu kjo është ekonomia. Ky është insistimi jonë, jam shumë optimist për Lezhën. Ajo që do të bëjmë është që t’i orientojmë sa më shumë sa më mirë sipërmarrësit që të shikojnë nga cilësia. Ne duhet të bëjmë gjëra që janë cilësore. Kështu do ta bëjmë Shqipërinë kampione dhe në numra. Një vend që ka 2.5 milionë njerëz që jetojnë aty dhe sjell më shumë se trefish të numrit që ka turistë është një vend që ka të gjitha arsyet të buzëqeshë dhe të thotë se e ardhmja shihet me sy”, shtoi Rama./ata