Shtimi i numrit të apartamenteve dhe shtëpive për dhënie qiraje në AirBnb apo Booking është rritur ndjeshëm në vend vitin e kaluar, për shkak të fluksit të lartë të turistëve të huaj.
Rritja e numrit të këtyre strukturave ka shtuar edhe të ardhurat e gjeneruara nga pronarët e tyre. Në Tiranë për vitin e kaluar, sipas të dhënave të AIRDNA (struktura për të dhënat e platformës AirBnb) për “Monitor”, të ardhurat nga pronat ishin 11,7 milionë USD. Për vitin 2022 të hyrat nga qiratë e shtëpive në AirBnb ishin 7,3 milionë USD. Në raport me 1 vit më parë, arkëtimet u rritën 60%.
Por agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme parashikojnë mbyllje të një sërë strukturash që jepen me qira ditore apo kthimit të tyre për dhënie me qira afatgjatë, pas ndryshimeve ligjore për formalizimin e tyre.
“Jo të gjithë po vijojnë t’i mbajnë këto aktivitete. Shumë prej tyre po zgjasin 3 deri 6 muaj, pastaj e mbyllin. Kemi pasur raste që e mbyllin si biznes dhe më pas e merr dikush tjetër apartamentin me qira për ta ri dhëne me qira ditore. Më tepër këto biznese po mbyllen nga individë që përveç të ardhurave nga punësimi, siguronin të ardhura të tjera nga qiraja afatshkurtër”, pohon Lorina Rada nga agjencia imobiliare “Century 21 CPM”.
Në total në Tiranë për vitin 2023 ishin të listuara 34,834 prona, duke përfshirë apartamente, shtëpi apo vila pushimi. Krahasuar me 2022 numri i tyre u rrit 31%. Numri më i lartë i pronave të listuara në Tiranë varion në periudhën korrik-dhjetor, me përkatësisht deri 3,000 prona të listuara në muaj. Për 2023 kërkesa për net-qëndrimi u rrit 78%. Prezenca e turistëve të huaj në Tiranë është konstatuar nga rritja e fluksit të frekuentimeve, sidomos në zonat kryesore, si: Pazari i Ri, pranë kalasë së Tiranës, ish Blloku etj.
Problematikë e tregut është edhe rreziku i flluskës për shkak të çmimeve shumë herë më të ulëta krahasuar me shtetet e Europës, e ndikuar nga oferta e larta.
Nëse prenoton një apartament me qira në Booking në shkurt, çmimet e tyre për 1 ditë nisin nga 3,300 lekë deri në 10,000 lekë për shtëpi me lokacion deri 500 metra larg qendrës.
Në Paris një apartament kushton nga 10,000 deri 25,000 lekë/dita me vendndodhje 3 km larg qendrës.
Në Milano çmimet arrijnë deri 150,000 lekë/dita për apartamente deri 3,5 km larg qendrës.
Në Pragë çmimet e apartamenteve me qira në Booking variojnë nga 3,500 deri 8,500 lekë nata.
Ndër 10 qytetet me numrin më të lartë të pronave të listuara në AirBnb për qira ditore kryeson qyteti i Vlorës. Të ardhurat në Vlorë e gjenenuara nga apartamentet me qira në AirBnb për 2023 arritën në vlerën e 25,9 milionë USD apo 103% më shumë se në 2022. Në Vlorë ishin të listuara 70,143 apartamente dhe shtëpi pushimi në AirBnb. Numri i tyre u rrit 31% në raport me një vit më parë.