Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj foli sot për situatën nga gripi në vend, të cilën e cilësoi shumë normale në këtë periudhë të vitit.

I ftuar në një studio televizive, Brataj u bëri apel veçanërisht prindërve që të mos e dërgojnë fëmijën direkt në spital duke kërkuar dhënien e antibiotikëve dhe serumeve.

Brataj tha se aktualisht në 400-500 vizita shtrohen 8 veta, ndërsa të tjerët kanë shkuar te mjeku kanë marrë një recetë dhe kanë ikur.

“Jemi në një situatë të zakonshme të pikut të gripit si në vendet e tjera, shqetësim janë moshat pediatrike për prindërit, jo për ne si shëndetësi. Kjo psikoza e dërgimit në spital të bëjë një serum është gjëja më e tmerrshme te fëmijët. Fëmija nuk duhet të shpohet për asnjë arsye nëse nuk ka një dëmtim”, tha Brataj.

Sipas tij, prindërit nuk duhet të panikosen nga temperatura, e cila në shumë raste është mekanizëm mbrojtës.

“Shpeshherë i sëmuri me grip nuk ka nevojë për mjekun. Vetëm nëse pas 4-5 ditësh rishfaqen shenjat si temperatura dhe kolla, atëherë patjetër duhet t’i drejtohen mjekut”, tha Brataj./ata