Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vijon puna për fazën e dytë të investimit në Spitalin Pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë.

 

Në një postim në rrjete sociale, Rama, publikoi foto nga kantieri ku vazhdon me intensitet puna për transformimin rrënjësor të Spitalit Pediatrik.

 

“Vijon me intensitet puna për fazën e dytë të investimit në Spitalin Pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë. Pas ndërtimit të godinës së re Spitalit Pediatrik me shërbimet e Urgjencës, reanimacionit dhe kirurgjisë infantile, rehabilitimi i plotë i Pediatrisë së Përgjithshme do të finalizojë projektin transformues të kompleksit pediatrik në QSUT”, shkruan Rama.

 

Spitali Pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza në fazën e dytë do të përfshijë rehabilitimin rrënjësor.

 

Kjo fazë parashikon gjithë rehabilitimin dhe forcimin nga themelet të gjithë Pediatrisë së Përgjithshme ku janë 120 shtretër dhe ku përfshihet shërbimi i dializës, pneumologjisë, pra të gjitha shërbimet që përfshin Pediatria e Përgjithshme.

 

Me fazën e dytë kompletohet i gjithë Korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUT. Ky është investim i buxhetit të shtetit, prej 6.6 milionë eurosh./ATSH