Qeveria gjermane njoftoi më herët sot shitjen e raketave në Arabinë Saudite, duke hequr një embargon për eksportet e armëve në Riad që vendosi pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në fund të vitit 2018.

Sipas zëdhënësit të qeverisë Steffen Hebstreit, vendimi është marrë tashmë në fund të vitit të kaluar dhe ka të bëjë me shitjen e 150 raketave ajër-ajër Iris-T, siç ishte zbuluar më parë nga revista Der Spiegel. “Unë mund ta konfirmoj atë artikull,” tha Hebstreit.

Ministrja e Jashtme Analena Burbock tha të dielën nga Izraeli se Gjermania nuk e kundërshton më shitjen e avionëve Eurofighter te Arabia Saudite, siç ka bërë deri më tani për kontratën që Britania e Madhe nënshkroi vite më parë me qeverinë e Riadit. Që nga viti 2018, Berlini ka bllokuar si eksportet e drejtpërdrejta të sistemeve të armëve ashtu edhe eksportet sipas programeve të përbashkëta me aleatët, si Eurofighter, i cili është një partneritet midis Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Spanjës.

Duke justifikuar ndryshimin, ajo tha se Arabia Saudite ka miratuar një qëndrim “konstruktiv” për luftën midis Izraelit dhe Hamasit, duke kontribuar “vendimisht” në sigurinë e Izraelit dhe duke kufizuar rrezikun e zjarrit rajonal. Burbock vuri në dukje gjithashtu se ushtria saudite ka kapur në mënyrë të përsëritur raketa të lëshuara nga Huthi në Jemen që synojnë Izraelin.

Embargoja gjermane u vendos në vitin 2018 nga qeveria e Angela Merkelit me Social Demokratët (SPD) dhe u riafirmua në marrëveshjen programore të qeverisë së Olaf Solz me të Gjelbërit dhe Liberalët (FDP).

Këshilli Federal i Sigurimit miratoi gjithashtu dërgimin e një nëndetëseje në Izrael, tre minahedhësve në Pakistan dhe 300 automjeteve të armatosura antitank në Gjeorgji. /tesheshi.com/