Ish-trajneri i kombëtares së Kinës ka pranuar marrjen e ryshfetit dhe manipulimin e rezultatit të ndeshjeve.
Televizioni shtetëror kinez ka transmetuar intervista të ish-trajnerëve vendas ku pranonin se kishin marrë rryshfet për të luajtur dobët dhe humbur ndeshje në një kompeticion ndërkombëtar futbolli.
Li Tie, dikur ish-futbollist me skuadrën angleze të Evertonit dhe më pas trajner i kombëtares kineze, pranoi përfshirjen e tij në fiksimin e rezultatit të ndeshjeve, në një dokumentar anti-korrupsion të transmetuar nga rrjeti vendas CCTV.
Vitin që shkoi ai u vu nën hetim për “shkelje serioze të ligjit”, por deri tani të tjera detaje nuk janë bërë publike.
Administrata e Xi Jinping thotë se ka nisur një fushatë të gjerë anti-korrupsion në të cilën të paktën 12 zyrtarë të federatës kombëtare të futbollit janë hetuar apo kanë marrë akuzat.
Zhvillimi vjen disa ditë para nisjes së turneut Kupa e Azisë si dhe pas hetimeve mbi performancën e kombëtares së Kinës në disfatat nga skuadrat e Vietnamit e Sirisë.
Kina nuk u kualifikua për Kupën e Botës në Katar dhe kjo solli shkarkimin e Li në 2021.
Ish-kapiteni i Kinës pranonte se kishte paguar rreth 421,000 dollarë për të siguruar postin, ndërsa më pas kishte marrë rryshfet për të fiksuar rezultate të ndeshjeve.
“Më vjen keq. Duhet të kisha mbajtur kokën ulur dhe të ndiqja rrugën e duhur. Ishin disa gjëra që ishin të zakonshme asokohe në futboll”, tha ish-trajneri në ndjesën e tij publike.
Li tha se pasi kishte arritur të fiksonte me sukses rezultatin e një ndeshjeje me skuadrën Hebei China Fortune, kishte vazhduar aktivitetin korruptiv edhe me skuadrën Wuhan Zall në 2017.
Ai pranonte më tej: “Për të arritur rezultate të mira duhet të influenconim gjyqtarët, të jepnim rryshfet te kundërshtarët, nganjëherë edhe me marrëveshje mes dy klubeve. Kjo praktikë u bë e zakonshme”.
Li thotë se i ka paguar 1 milionë huan (150$) nga xhepi i tij kreut të federatës së futbollit të Kinës (CFA), shkruan “The Independent”.
“Ata më erdhën në dhomë dhe vendosën çantat në divanin tim, duke thënë: Urime President Chen. Shpresojmë të vazhdojmë të punojmë me ty. Kur i pyeta çfarë po më jepnin ata thanë se ‘kështu është tradita’,” thotë mes te tjerash Chen në sipas rrjetit “China Daily”.