Pas një viti pozitiv, ndikuar prej turizmit, ndërtimit dhe sektorit të energjisë, ekonomia e vendit pritet të ngadalësohet në përgjatë këtij viti. Banka Botërore në raportin e fundit për Perspektivat Ekonomike Globale, parashikon që ekonomia e Shqipërisë këtë vit të ngadalësohet me 0.4%, dhe do të rritet me 3.2%, nga 3.6% që pritet të jetë rezultati final i vitit 2023. I njëjti nivel zhvillimi pritet edhe për vitin 2025.
Ky parashikim është më i ulet se ai i institucioneve vendase, ku Ministria e Financave në buxhetin e këtij viti, pritshmëritë për rritjen e të ardhurave i mbështet në synimin për një rritje ekonomike prej 3.8%, nga 3.7% e pritshme për vitin 2023.
Në raport thuhet se inflacioni dhe turizmi, do të jenë kryefjalë e rritjes ekonomike të rajonit përgjatë këtij viti, që parashikohet në 3%.
“Rritja ekonomike për rajonin pritet të mbështetet nga rritja e konsumit, ulja e inflacionit, nga rimëkëmbja graduale në eurozonë, rritja e shpenzimeve publike për projektet infrastrukturore të financuara nga BE dhe të ardhurat nga turizmi”, thotë Banka Botërore.
Nga vendet e rajonit, rritja më e lartë ekonomike nga Banka Botërore është parashikuar për Kosovën me 3.9%, Mali i Zi rritje 3.2%, Serbia me 3%, dhe të fundit janë Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, me nga 2.8 dhe 2.5% rritje ekonomike në 2024.