Në Parkun e Liqenit Artificial u zhvillua mëngjesin e sotëm një maratonë prej 5 kilometrash, kushtuar kauzës së ndërgjegjësimit ndaj çrregullimeve të spektrit autik.
Kjo maratonë është e organizuar dhe ideuar nga organizata jofitimprurese “Progetto Filippide”, si një garë jokonkurruese ku të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën në solidaritet në këtë event sportiv.
Veprimtaria “Run4Autism”, erdhi në kuadër të Javës së Kulturës Italiane, promovuar nga Ambasada e Italisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Në këtë ditë kushtuar sportit, miqësisë e solidaritetit, atletë, të rinj, nxënës shkollash e veçanërisht edhe familjarë të personave autikë, vrapuan së bashku për një të ardhme më të mirë. Kjo maratonë për rreth 5 km, u krye me qëllim sensibilizimin ndaj çështjes së autizmit duke vënë theksin edhe tek rëndësia që ka sporti si një mjet për gjithpërfshirjen sociale./ata