Marina e Iranit konfirmoi sot sekuestrimin e një cisterne amerikane të naftës në Detin e Omanit.
Në një deklaratë të publikuar nga media shtetërore, krahu detar i ushtrisë tha se sekuestrimi i anijes amerikane ishte i “bazuar në një urdhër gjykate”.
Marina tha se cisterna e naftës kishte vjedhur naftën iraniane vitin e kaluar “nën drejtimin e SHBA-së” dhe e ka furnizuar me naftë Washingtonin.
Sipas deklaratës, cisterna po lundronte në Detin e Omanit kur u sekuestrua me një vendim gjykate “në shenjë hakmarrjeje për vjedhjen e naftës iraniane nga SHBA-ja”.
Cisterna, thuhet në deklaratë, është transferuar në një port iranian dhe i është dorëzuar autoriteteve gjyqësore për veprime ligjore.
Detajet e ngjarjes nuk janë ende të qarta. Marina e Iranit pritet të lëshojë një deklaratë të detajuar më vonë.
Mediat, duke cituar firmën britanike të sigurisë detare “Ambrey”, thanë se në bordin e cisternës me flamurin e Ishujve Marshall “gjendeshin individë të armatosur në brigjet e Omanit” ndërsa po lundronte pranë qytetit Sohar të Omanit.
Sistemi i gjurmimit AIS i cisternës thuhet se ishte fikur teksa po lundronte drejt portit iranian Bandar-e-Jask.
Sipas raportimeve të mediave, anija e kapur nga marina iraniane ishte ngarkuar me 145.000 tonë metrikë naftë në portin irakian të Basrës.
Ndryshe, vitin e kaluar, cisterna e naftës St. Nikolas u përfshi në një mosmarrëveshje midis Teheranit dhe Washingtonit pasi u konfiskua nga SHBA-ja në prill në një masë të zbatimit të sanksioneve ndërsa po lundronte nën emrin Suez Rajan.
Cisterna u drejtua drejt portit të Teksasit, ku mbeti e ankoruar për katër muaj përpara se Marina e SHBA-së të shkarkonte 800.000 fuçi naftë me vlerë rreth 56 milionë dollarë, duke sfiduar paralajmërimet e Iranit.
Washingtoni në atë kohë akuzoi Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) se po përpiqej të dërgonte naftë kontrabandë në Kinë, duke shkelur sanksionet.
Përpara se nafta të shkarkohej në brigjet e Teksasit, zyrtarët ushtarakë iranianë paralajmëruan për pasoja të rënda, ndërsa komandanti i marinës së IRGC-së Alireza Tanjsiri në atë kohë ishte shprehur se “epoka ‘godit dhe ik’” ka mbaruar.
“Ne deklarojmë se konsiderojmë përgjegjës çdo kompani nafte që kërkon të shkarkojë naftën tonë të papërpunuar nga anija dhe gjithashtu e konsiderojmë Amerikën përgjegjëse”, tha ai në atë kohë./aa