Mediat britanike e kthejnë sërish vëmendjen tek grupet kriminale shqiptare, por këtë herë edhe jashtë territorit britanik. Është tabloidi Daily Mail i cili shprehet në një dokumentar se gangsterët shqiptarë kanë marrë kontrollin e furnizimit me kokainë në Amerikën e Jugut dhe furnizojnë rrugët e Britanisë me sasi rekord të drogës.

 

Tabloidi deklaron se ka kryer një hetim ku tregohet lufta e përgjakshme si pasojë e kërkesës për kokainë, ndërsa mendohet se tregu i kokainës së Mbretërisë së Bashkuar vlen rreth 2 miliard Paund,.

 

“Tentakulat globale të bosëve mafiozë nga Ballkani tashmë shtrihen nga “narkoshteti” i Ekuadorit në qytete të Mbretërisë së Bashkuar”, shkruan Daily Mail.

 

Hulumtimi i Agjencisë Kombëtare të Krimit ka treguar se grupet shqiptare të krimit të organizuar kontrollojnë tregun e kokainës në të gjithë qytetet kryesore dhe zonat periferike të Mbretërisë së Bashkuar (me përjashtim të Merseyside, ku kriminelët vendas mbeten në krye).

 

Tani të njëjtët “baronë” droge kanë marrë nën kontroll të hekurt shpërndarjen e kokainës nga Ekuadori. Sipas Daily Mail, ata janë përfshirë në një betejë të përgjakshme me kartelet lokale.

 

Në dokumentar, të cilin Daily Mail shprehet se e ka ndarë në dy pjesë, flitet fillimisht për bosët shqiptarë të drogës që tashmë kontrollojnë furnizimin me kokainë në resortet e famshme në Brighton. Sipas sondazheve, atje, një në pesë persona mendohet se i përdor këto substanca.

 

Dokumentari flet për rreth 976 mijë përdorues të kokainës në vend, ndërsa numri i vdekjeve si pasojë e përdorimit të saj është rritur në 840 duke u shtatëfishuar nga një dekadë më parë.

 

“Sipas burimeve, një figurë misterioze e botës së krimit nga Shqipëria, i njohur vetëm me iniciale, thuhet se është një nga organizatorët e krimit në krye të një rrjeti tregtarësh droge që furnizojnë me kokainë punëtorët e shtresës së mesme, turistët dhe studentët”, shkruan Daily Mail.

 

“Muajin e kaluar, një kongresmen kryesor në Ekuador zbuloi se si kërcënimi i mafias shqiptare ka infektuar vendin përmes dhunës dhe ryshfetit për të ndërtuar një biznes të paligjshëm që konsiston në blerjen e kokainës me çmim të ulët në Amerikën Latine dhe tregtimin në Europë”, shkruan Daily Mail.

 

Fernando Villavisencio, tha se rreth 4 mijë shqiptarë jetojnë në Ekuador.

 

“Trafiku i drogës, korrupsioni dhe format e tjera të krimit të organizuar kanë kontaminuar pjesë të mëdha të sistemit të shtetit të ekuadorian, duke përfshirë klasën politike dhe partitë, institucionet e drejtësisë, sistemin financiar dhe kanë mundur të penetrojnë tek forcat e rendit të cilat janë përgjegjëse për luftën ndaj krimit të organizuar”, tha kongresmeni Villavicencio.

 

Sipas Daily Mail, kokaina që futet nga Ekuadori në Britani zakonisht fshihet në kontejnere dhe vjen nga portet e Roterdamit ose Antëerp-it. Edhe në këto qytet është parë një rritje krimit të bandave që lidhen me drogën.

 

Në pjesën e dytë të hetimit, Daily Mail thotë se ka intervistuar një kriminel ekuadorian, i cili ka thyer kodin e heshtjes së mafias dhe ka zbuluar se si banda e tij punon me narkosit shqiptarë për të trafikuar tonelata me kokainë drejt Britanisë dhe Europës. Daily Mail pretendon se ky person do të zbulojë historinë e Dritan Rexhepit, i cili u lirua nga burgu në Ekuador.

 

Rexhepi njihet si “mbreti i arratisjeve” sepse është larguar nga burgjet në Belgjikë dhe Shqipëri. Po ashtu, nga policia britanike ai është në listën e më të kërkuarve. Sipas Daily Mail ai është rasti tipik i narkosve shqiptarë që vendosen në Ekuador, negociojnë direkt me prodhuesit dhe komandojnë tërë zinxhirin e furnizimit me kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.