Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe të fushës së sigurisë, interesat e përbashkëta dhe zgjerimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit.
Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e Irlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, derisa theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetjeje drejt anëtarësimit final në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian (BE), por edhe në organizata ndërkombëtare.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mundëson mbrojtje të avancuar të të drejtave të njeriut”, ka theksuar Osmani.
Më tej, Omani ka thënë se është koha që edhe raportet e Kosovës me BE-në duhet të ngrihen në nivel tjetër.
“Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Kosova mishëron vlerat evropiane, ndaj, në këtë frymë ka pas angazhim të vazhdueshëm që legjislacioni ynë është në harmoni me ligjet e BE-së. Është momenti i duhur që ta marrim statusin e vendit kandidat”, është shprehur Osmani.
Në raport me zhvillimet e fundit në vend, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova tashmë ka bërë hapa përmbajtësorë në deeskalimin e situatës në veriun e vendit, ndaj i ka cilësuar masat e BE-së si joproporcionale dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës.
Sa i përket situatës së sigurisë, Osmani ka deklaruar se mungesa e masave kundrejt Serbisë në lidhje me sulmin terrorist dhe aktin e agresionit të 25 shtatorit në Bansjkë vetëm se e inkurajon atë për të bërë sërish veprime të ngjashme, që cenojnë jo vetëm stabilitetin e Kosovës, por edhe rajonin.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Varadkar kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në adresimin e sfidave globale dhe nxitjen e zhvillimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me fokus të veçantë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë./aa