Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka propozuar shtimin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit, në kalendarin e festave kombëtare.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Qeverisë së Shqipërisë tha se Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim në Ligjin për Festat Kombëtare dhe Ditët Përkujtimore.

"Këshilli i Ministrave po i propozon Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është një ditë me simbolikë të veçantë. 22 nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, të cilët janë të shpërndarë në pothuajse gjitha vendet e Ballkanit", tha Hasani.

Hasani theksoi se viti 2024 është një vit i rëndësishëm për shqiptarët në rajon dhe shtoi se Shqipëria shpreson që të ketë një rrugë sa më të qartë dhe të shpejtë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE).

"Edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të Kosovës, të Preshevës apo të Malit të Zi janë në procese të rëndësishme përfaqësuese dhe integruese", tha ndër të tjera Hasani.

Propozimi i Qeverisë së Shqipërisë për ndryshimet ligjore për 22 Nëntorin duhet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë.

Dita e Alfabetit Shqip apo "Kongresi i Manastirit" shënon mbledhjen e dhjetëra dijetarëve shqiptarë më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres delegatë të ardhur nga anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga mbarë bota, miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, në deklaratën e tij pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave u shpreh se sot u miratua vendimi për të dërguar nga Shqipëria një mision prej 22 ushtarakësh dhe një anije në Misionin e NATO-s në Detin Egje.

"Është një pjesëmarrje e rëndësishme e jona në kuadër të kontributeve në operacione dhe misione ndërkombëtare, kryesisht në kuadër të NATO-s, por edhe të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara", tha Peleshi./aa